Përplasje në PD për postin e Sekretarit të Përgjithshëm, Berisha shmang lobimet

schedule15:52 - 1 Qershor, 2022

schedule 15:52 - 1 Qershor, 2022

Nga Juxhin Mustafaraj 

Zgjedhjet për lidershipin e ri që do të jenë në krah të Berishës në krye të Partisë Demokratike prej kohësh kanë nisur të prodhojnë përplasje.

Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe kryesisë së PD kanë kaluar qetësisht, por ambiciet për të marrë pozicione drejtuese në selinë blu ka sjellë edhe përplasjet mes ish-përfaqësuesve të Komisionit të Rithemelimit.

Posti që ka përfshirë në konflikt demokratët është ai i Sekretarit të Përgjithshëm që është edhe posti më i lartë në hierarkinë e Partisë Demokratike, pas kryetarit të PD. Tre janë emrat më të lakuar për të marrë këtë post. Ish-kreu i Forumit Rinor të PD, Belind Këlliçi. Ky i fundit në garën për kryesinë e PD rezultoi kandidati më i votuar mes demokratëve që ishin pjesë e garës.

Por numri 2 i PD është edhe një ambicie e bashkëpunëtorit më të afërt të Berishës nga dita e parë e lëvisjes për Rithemelimin e PD, deputeti Flamur Noka. Emri i tretë që lakohet në selinë blu për të garuar për postin e Sekretarit të Përgjithshëm është edhe Arben Imami.

Ajo që penalizon në këtë garë ish-ministrin Imami është numri i ulët i votave të grumbulluara në votimin për kryesinë, ku ai nuk mundi të kaloj pragun duke ngelur jashtë këtij forumi. Por për të treguar se vullneti i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD është deformuar, përmes lobimeve ka dalë hapur përmes reagimeve në rrjetet sociale ish-anëtarja e Komisionit të Rithemelimit, Evi Kokalari.

Prej më shumë se 24 orësh, Kokalari akuzon deputetin Belind Këlliçi për lobime në Këshill dhe Kryesi për të marrë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, duke dalë hapur në mbështetje të deputetit Flamur Noka.

Për të shmangur përplasjet mes demokratëve dhe debatet publike, Sali Berisha në pozitat e kryetarit të partisë ka vendosur të shmang lobimet duke thirrur mbledhjen e kryesisë së PD vetëm 3 orë përpara mbledhjes së Këshillit Kombëtar. Do të jetë Berisha ai që do t’i propozojë kryesisë emrat për të gjithë pozicionet e rëndësishme në PD që do të votohen nga anëtarët e Këshilli Kombëtar pasditen e të premtes. /abcnews.al