Përplasja Rama-Basha: Cili do bjerë në gropën e tjetrit?

schedule17:30 - 29 Mars, 2018

schedule 17:30 - 29 Mars, 2018

Në përmballjen e kësaj të enjteje në Kuvend, Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë kaluar nga argumentet për tarifën e Rrugës së Kombit tek aludimet, se cili do bjerë më shpejt në gropën e tjetrit.

Kanë zgjedhur të mos flasin vetëm për rrugë në Parlament, por edhe për gropat.

Lulzim Basha: “Sapo ra me këmbët e veta në gropën që vetë ka hapur, një njeri që me të vërtetë nuk mban përgjegjësi për asgjë që thotë, nuk mban përgjegjësi për asgjë që bën”.

Edi Rama: “Miku im që vjen këtu e tregon këmbët e mia në gropën që paskam hapur vetë, thotë “o kjo, o kjo”. Domethënë, ose 7×7=42, ose s’ka 7 dhe s’ka as 42.”

Lulzim Basha: “E para e punës, ti i ke zgjedhur miqtë e tu, nuk jam unë miku yt. Miku yt është Shullazi, janë Habilajt, është Klement Balilaj, etj, etj, disa i ke pasur këtu, nuk i ke më këtu me Armando, me Benin e me të gjithë. Ata janë miqtë e tu, disa të kanë ikur nga kjo sallë, ata janë miqtë e tu.”

Edi Rama: “Natyrisht, ju e keni pjesë të funksionit në këtë parti, që të qeshni për solidaritet me çdo lloj budallallëku që duhet mbrojtur, apo mbi çdo lloj grope që duhet mbuluar. Është funksionale kjo. Është pjesë e detyrave.”

Se kush ia ka hapur më shumë gropën vetës apo njëri tjetrit e sqarojnë me përgjigje kundërpërgjigje dy kryetarët e partive më të mëdha në vend.

Edi Rama: “Çështjen e gropës, kur iu thua të tjerëve se bien me këmbët e tyre, konsideroje seriozisht dhe të paktën mos e thirr më shpejt fatin tënd, që e ke shkruar vetë, pa u konsultuar as me partinë tënde e lëre më me mua, se po të ishte konsultuar me mua do të kisha thënë, zgjedhjet do t’i humbësh, mos merr para nga rusët, sepse na duhesh për rrugë të gjatë, por me sa duket ia ke shkurtuar rrugën vetes, pikërisht sepse për ty 7×7 bëjnë 42.”

Lulzim Basha: “Ti mos u fsheh pas fustanit të gruas së Bilalit. Sa për çështjen e Abi Bank-ut dhe influencës ruse tek Abi Bank-u dhe aferën kriminale të kërcënimit të investitorëve shqiptaro-amerikan nga killera shqiptarë të porositur nga një anëtar i kabinetit për hesap të Juremeksit rus, këtu jemi do të kemi kohë t’i shkojmë deri në fund në qoftë se Prokurorisë i mungon vullneti.”

Nuk tregojnë vetëm për madhësinë e gropave por edhe llojin. Një prej të cilave ka të bëjë me influencën ruse në Shqipëri.

Lulzim Basha: “Hajde bëjmë një hetim parlamentar për influencën ruse në Shqipëri, e ta shohim se ku i ka futur kthetrat ariu. Këtë të bëjmë”.

Edi Rama: “Sa për komisionin parlamentar, nuk ka nevojë fare, në këtë rast, çështja nuk është thjesht në dorë të prokurorisë shqiptare e ti këtë e di shumë mirë, sepse ka kapërcyer kufijtë e brendshëm. Problemi nuk është një problem i transparencës që duhet të bëjë KQZ-ja, apo i zbardhjes që duhet të bëjë prokuroria shqiptare. Është një problem më kompleks. Prandaj u sugjerova kolegëve të tu të mos qeshin se nuk është për të qeshur dhe i vetmi që s’qesh, sepse e di shumë mirë dhe e kupton shumë mirë, është lideri digjital.”

Të dy palët thonë se nuk i tremben drejtësisë. Mbetet për t’u parë vazhdimi nëse gropa do të mbetet brenda sallës së Parlamentit apo do të shqyrtohet edhe nga organet e akuzës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!