Përplasja për “Duty Free” në Rinas: Gjyqi që rrezikon të na kushtojë miliona euro dhe “fytyrën” para investitorëve

schedule17:22 - 11 Shkurt, 2020

schedule 17:22 - 11 Shkurt, 2020

Një konflikt për hapësirat për dyqanet e shitjeve pa taksa në aeroportin “Nënë Tereza” Rinas, ose siç thirren ndryshe “Duty Free”, ka gjasë që ta çojë vendin sërish në Gjykatën e Arbitrazhit për ta përballur me një gjobë të majme nëse nuk zgjidhet nga gjykatat vendase.

Përplasja është mes dy kompanive private dhe ministrisë së Ekonomisë, e cila lëshon licencën për shfrytëzimin e ambienteve në aeroportin e Rinasit për të shitur produkte pa taksa.

Bëhet fjalë për një aktivitet mjaft fitimprurës, i cili gjeneron milion euro të ardhura në vit, gjë që duket se ka joshur edhe kompaninë amerikane “International Cruise Duty Free” që të aplikojë verën e vitit të shkuar për të marrë licencën për ushtrimin e aktivitetit, shkruan abcnews.al.

Sot gjykata Administrative dha vendim në favor të një kompanie shqiptare, pikërisht “Albania Duty Free Distribution”  duke sjellë reagimin e Ministres së Financave, ambasadës amerikane si edhe të Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Përplasja
Në përfundim të periudhës së shfrytëzimit nga kompania “Albania Duty Free Distribution”, “Tirana International Airport”, administratore e aeroportit të Rinasit, zhvillon në shkurt 2019 një tender ndërkombëtar me qëllim gjetjen e një kompanie që do ta shfrytëzojë gjatë pesë viteve të ardhshme. Në tender shpallet fituese kompania amerikane “International Cruise Duty Free”.

Ndërkohë, “Albania Duty Free Distribution”, në pronësi të Elona Çaushit, pretendon se TIA nuk e ka vënë ne dijeni për tenderin duke shkelur marrëveshjen.

Njëkohësisht kjo kompani aplikon në ministri për rinovimin e lincenës duke marrë miratimin nga kjo e fundit që të vijojë aktivitetin në atë hapësirë. Kompania aplikoi në korrik 2019 në ministri me argumentin se në kontratë parashikohej që ajo kishte të drejtën e rinovimit të licencës edhe për pesë vite të tjera.

Në këto rrethana, nga njëra anë kemi kompaninë “International Cruise Duty Free” që ka fituar tenderin e TIA-s dhe nga ana tjetër kemi kompaninë “Albania Duty Free Distribution” që ka licencën e shfrytëzimit të këtij aktiviteti, shkruan abcnews.al.

Por disa muaj më vonë, ministria e Ekonomisë kthen mbrapsht vendimin e saj duke anuluar lincencën ndaj kompanisë “Albania Duty Free Distribution”.

Menjëherë, kompania “Albania Duty Free Distribution” në pronësi të Elona Çaushit e dërgon çështjen në gjykatë duke kërkuar anulimin e vendimit të Ministrisë së Ekonomisë përmes të cilës i hiqej licenca për të zhvilluar aktivitetin në hapësirat “Duty Free” në Rinas.

Pas disa seancave gjyqësore, trupa e Gjykatës Administrative e kryesuar nga Avni Sejdi vendosi sot në favor të “Albania Duty Free Distribution” duke rrëzuar vendimin e Ministrisë së Ekonomisë për anulimin e licencës ndaj kompanisë së Elona Çaushit ndërkohë që urdhëroi shqyrtimin e çështjes në themel, shkruan abcnews.al.

Sipas këtij vendimi, kompania në fjalë ka të drejtën e shfrytëzimit të licencës deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje pavarësisht se kompania amerikane “International Cruise Duty Free” ka fituar tenderin e TIA-s për zhvillimin e të njëjtit aktivitet biznesi.

Reagimet

Vendimi i sotëm i gjykatës ka sjellë mjaft reagime. Ambasada amerikane e lexoi vendimin me argumentin se ajo që ndodhi sot tregon sfidat, me të cilat përballen investitorët e huaj në Shqipëri.

“Në situatën ku ndodhemi sot, rrethanat në lidhje me hapësirën Pa Taksë (Duty Free) në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës tregojnë sfidat me të cilat përballen investuesit e huaj në Shqipëri. Është zhgënjyese që klima aktuale e biznesit pengon rritjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të zbatojë rregulla të drejta dhe transparente në mënyrë të barabartë për të gjitha bizneset. Shpresojmë që qeveria e Shqipërisë të shqyrtojë seriozisht sfidat në mjedisin aktual dhe të zbatojë ndryshime të prekshme, për të tërhequr investimet e huaja shumë të nevojshme”, reagoi ambasada.

Ndërkohë, Dhoma Amerikane e Tregtisë theksoi se ky vendim ishte një mesazh negativ për investitorët.

“Sapo u njohëm me vendimin e Gjykatës i cili ishte në fakt shumë zhgënjyes. Kemi një mesazh tepër negativ ndaj komunitetit të investitorëve të huaj.

Në këtë rast nuk jam në gjendje të them kush janë hapat e ardhshëm të investitorit por është një shembull i keq dhe një mesazh shumë negativ që po i dërgojmë investitorëve por edhe klimës së investimeve. Nuk i di hapat që do ndjekë investitorët por arbitrazhi ka provuar që ka qenë me pasoja negative për shtetin shqiptar kryesisht, sigurisht edhe për njerëz të tjerë”, tha Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço.

Njëkohësisht ka reaguar edhe vetë Ministria e Ekonomisë, e cila u rrëzua sot nga gjykata.

“Duke u rezervuar në interpretimet në themel të vendimmarrjes në cështjen në fjale, theksojmë rëndësinë e sistemit gjyqësor edhe në klimën e biznesit dhe trajtimin e investitorëve të huaj në vend. Forcimi i Shtetit të së Drejtës mbetet prioritet për Qeverinë Shqiptare, në përfitim të qytetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë dhe të huaj. Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të jetë përherë e hapur të presë propozimet e sektorit privat mbi cështjet e të bërit biznes dhe zhvillimin e një kuadri mbështetës për cdo investitor shqiptar dhe të huaj” deklaron ministria e Financave”, tha ministria e Ekonomisë.

Seanca e sotme u ndoq edhe nga diplomatë amerikanë që ishin të pranishëm në sallë. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi i kompanisë amerikane tani, e cila më parë kishte kërcënuar se do ta çonte çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit, gjë e cila do t’i kushtonte shtetit shqiptar një gjobë të majme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!