Përplasja e përjavshme mazhorancë – opozitë, çfarë pritet të enjten?

schedule13:00 - 10 Prill, 2019

schedule 13:00 - 10 Prill, 2019

Prej dy muajsh opozita e bashkuar organizon protesta me qëllim largimin e kryeministrit Rama dhe asaj që quajnë parlament ilegjitim. Por pas 8 javësh që seancat plenare shoqërohen me protesta jashtë godinës parlamentare, të enjten e 11 Prillit, dy ditë përpara protestës kombëtare të 13 prillit, opozita ka rezervuar tjetër skenar.

Tetë javë pas nisjes së sezonit të protestave opozitare, pjesa dërrmuese e të cilave si vendndodhje kanë hyrjen e godinës parlamentare dhe target pikërisht seancën e parlamentit ilegjitim sipas opozitës së bashkuar, duket se e enjtja e 11 prillit do t’i lejojë deputetëve një hyrje-dalje të qetë nga parlamenti.

Në pritje të protestës kombëtare të thirrur nga opozita pasditen e së shtunës, duket se vendimi i kryesisë së Partisë Demokratike për organizim të protestave sa herë ka seancë parlamentare, do të përdorë një skenar më pak të shfrytëzuar gjatë këtij sezoni protestash: atë simbolike.

Një skenar i tillë është përdorur nga demokratët edhe njëherë më parë, në seancën plenare të 13 marsit ku revoltën dhe mesazhin e përçuan përmes disa pankartave, një prej të cilës e ngritën në ajër mbi godinën ku deputetët po zhvillonin punime në seancë.

E ndërsa deputetët e parlamentit, ata të mazhorancës por edhe të betuarit rishtazi apo tre të rradhës të cilët pritet të betohen të enjten, duke e çuar numrin e deputetëve në 102, duket se do të mund të shijojnë qetësi në ambientet e jashtme të godinës, brenda saj, rendi I ditës parashikon vetëm dy raporte për votim, atë mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, dhe atë të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2018. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!