Përplasja e përgjakshme me 3 shqiptarë të vrarë, mediat greke japin detaje të reja

schedule19:41 - 3 Korrik, 2022

schedule 19:41 - 3 Korrik, 2022

Mediat greke kanë dhënë të tjera detaje sa i përket ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë, ku humbën jetën 3 shtetas shqiptarë.

Të vrarët janë Andon Tefi, Armando Lamaj dhe një 23-vjeçar, identiteti i të cilit ende nuk bëhet i ditur. Sa i përket 48-vjeçarit nga Korça, Tefi, mediat greke raportojnë se ishte ai që nisi i pari të qëllonte mbi rivalët e tij në tregun e narkotikëve, duke lënë të vdekur në vend Lamajn.

Ai më pas u largua nga “Mercedes Benz-i” që drejtohej nga një femër që mori zvarrë viktimën 23-vjeçar dhe tentoi të arratisej, duke lënë pas gjatë aventurës së tij me armë në dorë edhe dy policë të plagosur.

Për policinë greke është e qartë se kemi të bëjmë me një larje hesapesh mes dy bandave të drogës dhe sipas tyre tregues kryesor është fakti se i “armatosuri” që nisi sagën e përgjakjes së kryeqytetit helen është një emër i njohur për autoritetet dhe i skeduar më parë.

Andon Tefi ka qenë i arrestuar më parë për drogë, ndërsa ishte pjesë e organizatave kriminale. Autori ka qenë i martuar dhe ka një vajzë, ndërsa zyrtarisht ka deklaruar se drejtonte një dyqan servis makinash.

Mediat greke duke ju referuar burimeve nga policia nënvizojnë se 48-vjeçari konsiderohej si një nga kriminelët më të ashpër në Athinë, pasi ishte i pamëshirshëm dhe lëvizte gjithmonë i armatosur.

Kjo u pa qartë edhe nga mënyra se si ai qëlloi fillimisht 23-vjeçarin që lëvizte me motor gjatë sherrit në Kato Patisia dhe ekzekutoi tepër ftohtë të atin e tij Armando Lamaj, i cili doli nga makina sapo pa djalin e tij të qëlluar.

Ndërkohë, një dëshmitar, i cili ndodhej pikërisht në vendin e takimit vrastar, ka përshkruar me detaje për Ertneës.gr masakrën e ndodhur në qendër të Athinës.

“Ai ishte i tërbuar, gjuante pa pushim dhe në të gjitha drejtimet”, thotë ai për agresorin.

Sipas tij, teksa autori ndodhej në një makinë, u shfaqën dy automjete të tjera dhe një motor. Njëri prej tyre iu afrua dritares së 48-vjeçarit dhe e goditi me grusht.

Dëshmitari okular flet për tërbimin e Tefit, i cili shprehet se “derisa ka hipur në makinën tjetër ka vazhduar të gjuajë në të gjitha drejtimet, pa llogaritur asgjë”.

Paniku i shkaktuar ishte i pritshëm pasi zona është e ngarkuar me shumë dyqane, por për mrekulli nuk pati më të vrarë.