Përpjekjet e Shqipërisë për të qenë pjesë e BE që nga 1991 deri sot

schedule16:52 - 18 Prill, 2018

schedule 16:52 - 18 Prill, 2018

Në këtë moment kyç të përpjekjeve të vendit tonë për të qenë pjesë e Unionit Europian, vlen të kthehemi pas në kohë, pikërisht në startin e marrëdhënieve Shqipëri-BE.

1991 shënon vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian. Në vitet e mëpasëm u nënshkruan marrëveshje të rëndësishme, por procesi i Stabilizim Asociimit për 5 vendet e Evropës Juglindore, duke përfshirë dhe Shqipërinë do të lancohej në samitin e Zgrebit në nëntor të vitit 2000.Tre vjet më pas u hapën zyrtarisht negociatat me Shqipërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit gjatë vizitës zyrtare të Presidentit të Komisionit Evropian Romano Prodi. Për firmosjen e kësaj marrëveshje duhet të kalonin edhe tre vite të tjera në 12 qershor 2006.

Më 1 prill 2009, hyn në fuqi marrëveshja e Stabilizim-Asociimit duke shënuar një fazë të re më të avancuar të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në, të konceptuar si një marrëdhënie kontraktuale me detyrime dhe të drejta reciproke ndërmjet palëve.

Më 28 prill 2009, Shqipëria paraqiti në Këshillin e Bashkimit Evropian kërkesën për anëtarësim

Në 10.nëntor.2010 Komisionit Evropian publikon opinionin për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim, në të cilin u identifikuan 12 prioritete kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE. Një muaj më pas hyri në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në vendet e zonës Schengen.

Në Raport Progresin e vitit 2012, Komisioni rekomandoi që Këshilli duhet t`i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, në varësi të përmbushjes së kërkesave.

Në datën 16 tetor 2013, vendet anëtare vendosen vetëm për marrjen e statusit të vendit kandidat jo për hapjen e negociatave. Gjithashtu, Komisioni përcaktoi 5 prioritete kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Konkretisht: reforma në administratën publike; forcimi pavarësisë, eficiencës dhe llogaridhënies së gjyqësorit; lufta kundër korrupsionit; lufta kundër krimit të organizuar; mbrojtja e të drejtave të njeriut, përfshirë Romët dhe politikat anti-diskriminim; si dhe respektimi i së drejtës së pronës.

Në nëntor 2016 komisioni rekomandoi hapjen e negociatave me kusht zbatimin e plotë të reformës në drejtësi mbas ndryshimeve kushtetuese të miratuara me konsensus.

Dy vjet më pas në 17 prill 2018 Komisioni vendos të rekomandojë përsëri hapjen e negociatave.Data e rradhës që do të shënohet në historikun e marrëdhënieve shqipëri-Bashkim Evropan është qershori i këtij viti ku do të vendoset nëse vendet anëtare do të votojnë njëzëri pro apo kundër hapjes së negociatave që shqipëria të jetë anëtare e Bashkimit Evropian. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!