Tani, mbetjet plastike do të shpërbëhen më lehtë

schedule19:26 - 18 Janar, 2021

schedule 19:26 - 18 Janar, 2021

Gjatë vitit që kaloi pamë zbulime shkencore që mund të ndihmojnë në përdorimin më të mirë të plastikës. Por pandemia e koronavirusit ka rritur shqetësimet për mbetjet plastike tani që është shtuar kërkesa për mjete mbrojtëse me një përdorim.

Shkencëtarët që po punojnë në zbulimin e enzimave që ushqehen me plastikë duke mundësuar reciklimin e tyre, gjetën një mënyrë për përshpejtimin e procesit.

Hulumtuesit amerikanë dhe britanikë kombinuan dy enzima duke krijuar një të fuqishme.

Enzima natyrale e quajtur PETase e cila është në gjendje të thyejë plastikën është zbuluar tashmë në Japoni.

Studiuesit e udhëhequr nga ekipe të Universitetit të Portsmouthit dhe Laboratori kombëtar i Energjisë së Ripërtëritshme i Departamentit amerikan të Energjisë e bënë atë më efiçient.

Por në vitin 2020 ata avancuan duke kombinuar enzimën PETase me një tjetër që quhet MHETase, e cila bën tretjen e plastikës shumë herë më shpejtë.

“Ajo çfarë bën enzima e dytë është përshpejtimi i procesit me gjashtë herë. Mënyra se si reagon e bën atë shumë interesante për procesin e riciklimit”, thotë John McGeehan, profesor dhe drejtor i Qendrës për Zbulimin e Enzimave.

Ndërkohë në Holandë, një kompani krijoi plastikën me bazë bimore e cila sipas tyre mund të përdoret për qëllime tregtare, por me më pak dëme në mjedis sesa plastika që përftohet nga përpunimi i karburantit.

Kompania biokimike në Amsterdam, Avantium, përdor një poliester kimik dhe organik të quajtur “Polyethylene Furanoate”, i njohur edhe si poliesteri i së ardhmes.

Përbërja është 100 për qind organike, që zakonisht përdoret për produktet e konsumit dhe paketim.

Zbuluesit shpresojnë që prodhuesit e mëdhenj të pijeve të përdorin këtë teknologji pasi të hapet fabrika e parë prodhuese më 2023.

Ndërkohë disa studiues në Britani thonë se pajisjet për kapjen e fribrave mund të zvogëlojnë sasinë e fibrave të vogla plastike që dalin gjatë pastrimit të rrobave.

Shkencëtarët në Universitetin e Plymouth thonë se pas një larje të zakonshme rreth 700 mijë mikro-fibra përfundojnë në ujërat e zeza.

Sipas tyre zbulimi ul me 80 për qind sasinë e grimcave mikroskopike që përfundojnë në botën ujore./VOA