Permier league, 1 miliardë euro në merkaton e verës

schedule17:27 - 4 Gusht, 2018

schedule 17:27 - 4 Gusht, 2018

Premier League angleze e kaloi sërish kufirin e 1 miliard eurove për blerje lojtarësh. Tendenca e shpenzimeve të mëdha vazhdoi edhe këtë verë, ndërsa në vend të parë u rendit Liverpool.

Jurgen Klopp ka të drejtë të jetë i lumtur. Madje, jo vetëm trajneri i Liverpool-it, por që të gjithë në Premier League-n angleze mund të ndihen të kënaqur, me përforcimet e kësaj vere.

Klubet e kampionatit më të vjetër në botë po e mbyllin sërish në vendin e parë renditjen e shpenzimeve të stinës kryesore të blerjeve, duke lënë prapa çdo ligë rivale, ndërsa turneu nis të premten e ardhshme.

Premier Liga kaloi sërish shifrën e 1 miliard eurove, saktësisht me 1 miliard e 101 milionë euro. Nuk u arrit dot rekordi prej 1.6 miliardë eurosh i vitit të kaluar, as shifra prej gati 1.4 miliardësh e 2016-s, por sidoqoftë fuqia blerëse mbetet e jashtëzakonshme.

Liverpooli kryeson me diferencë, pasi ka shpenzuar deri tani 195 milionë euro. Klop mori portierin e Brazilit, Alisson, për 75 milionë euro, mesfushorin e Lajpcigut Keita, për 60 milionë, si dhe sulmuesin shqiptaro-zviceran Xherdan Shaqiri nga Stouk Siti.

Manchester City i Pep Guardiolës u përgjigj me Rijad Mahrezin e ardhur nga Leicesteri për 68 milionë euro, blerja e dytë më e shtrenjë e verës në Angli.

Manchester United-i i Mourinjos mori më herët brazilianin Fred për 59 milionë euro, një lojtar që pritet të ndihmojë shumë, në krah të De Geas, Pogbasë, Matiçit, Aleksis Sançezit apo Lukakut.

Mourinho pret edhe mbrojtësin e Anglisë, Harri Megajër. Chelsea është përgjigjur me afrimin e trajnerit Mauricio Sarri, më parë tek Napoli, dhe të mesfushorit italian, Jorginho, po nga Napoli.

Më pak aktiv në treg ka qenë Totenhemi, për shkak të harxheve për stadiumin, ndërsa shpenzime të mëdha kanë bërë edhe Uest Hemi, Fulhami e Leicesteri. Pas Premier Ligës, vjen Seria A me 927 milionë euro të përdorura për blerje, dhe pastaj me diferencë La Liga e Spanjës, Bundesliga dhe Liga e Parë e Francës./abcnews.al