Përmbytjet vdekjeprurëse në Libi/ Të paktën 891 ndërtesa janë shkatërruar në qytetin Derna

schedule13:25 - 17 Shtator, 2023

schedule 13:25 - 17 Shtator, 2023

Përmbytjet kanë shkatërruar plotësisht të paktën 891 ndërtesa në qytetin libian Derna, njoftoi sot agjencia zyrtare e lajmeve e vendit, duke cituar të dhëna nga një ekip i caktuar nga Qeveria e Unitetit Kombëtar.

211 ndërtesa të tjera pësuan shkatërrim të pjesshëm ndërsa 398 të tjera janë zhytur në baltë, sipas të njëjtit burim.

Të paktën 11,300 njerëz janë të vdekur dhe 10,100 të tjerë janë të zhdukur vetëm në qytetin e Derna. Përmbytjet gjithashtu vranë të paktën 170 njerëz në vende të tjera në Libinë lindore, sipas shifrave të OCHA.

Nga rrënojat e shtëpive në rrethet e goditura nga përrenjtë dhe nga deti nxirren çdo ditë trupa. Sipas dëshmive të banorëve, shumica e viktimave janë varrosur nën baltë ose janë tërhequr drejt Mesdheut. Anëtarët e një ekipi shpëtimi nga Malta, duke ndihmuar libianët në det, raportuan se gjetën qindra trupa në gji, pa specifikuar se ku saktësisht, sipas një raporti në gazetën Times of Malta.

Ekipet e tjera libiane dhe të huaja të kërkim-shpëtimit raportojnë çdo ditë se kanë gjetur viktima, por kërkimi pengohet nga tonelatat e baltës dhe mbeturinave që mbuluan një pjesë të qytetit.

Në shumicën e rasteve ekipet janë të detyruara të përdorin lopata për të pastruar zonat ku operojnë, përpara se të kërkojnë viktima në ndërtesat e dëmtuara.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!