Qarku i Lezhës ishte dhe qarku i parë që u përball me motin e përkeqësuar, pasi reshjet intensive ishin prezente që prej mesnatës.
Rrugët e disa lagjeve të qytetit u përmbytën për shkak të prurjeve të mëdha dhe pamundësisë së kanaleve kulluese për të evaduar ujërat.
Mësimi nuk u zhvillua, pasi oborret e institucioneve arsimore u mbuluan nga uji.
Në disa biznese, uji depërtoi në ambientet e brendshme, megjithëse niveli nuk ishte shumë i lartë. Me rritjen e nivelit të ujit në rrugë, qarkullimi i makinave u vështirësua ndjeshëm.
Shirat krijuan probleme edhe në zonat rurale. Situata u përkeqësua nga prurjet e lumenjve dhe përrenjve malorë.
Niveli i lumit Drin u rrit ndjeshëm, duke dalë në shëtitoren pranë tij, gjë që pengoi evadimin e ujërave dhe solli një efekt zinxhir, me përmbytje të tokave bujqësore dhe banesa të rrethuara nga uji.
Edhe lumi Gjadër shtoi frikën për përmbytje në zonën e Zadrimës së Lezhës.
Emergjencat civile ishin të pranishme në terren për të asistuar dhe ndihmuar banorët, megjithëse deri tani nuk është kërkuar evakuim.
Vetëm në bashkinë e Lezhës janë 1 mijë e 10 hektarë tokë e përmbytur, por situata më e rënduar në nivel qarku paraqitet në Kurbin.
Dalja nga shtrati i lumit Ishëm përmbyti qindra hektarë tokë bujqësore.
Disa rrugë të fshatrave Mallkuç dhe Murqinë janë bllokuar.
Në Mamurras, reshjet kanë shkaktuar problematika të mëdha, ndërsa prezencë uji ka në rrugë, banesa dhe biznese.
Niveli i lumit Drojë është në kuotat maksimale dhe rrezikon daljen nga shtrati.
Vështirësi paraqiten edhe në disa akse rrugore rurale, si rruga drejt fshatit Zhejë, aksi Laç–Mamurras, Laç–Milot, si dhe segmenti midis zonës së Shullazit dhe Mal Bardhës.
Bashkia Kurbin ka kërkuar mbështetje me 4 kamionë të kalueshmërisë së lartë, dy varka dhe një pompë për largimin e ujërave, ndërsa strukturat e emergjencave civile vijojnë monitorimin e situatës në terren.


