Reshjet e shiut dhe dëborës kanë pushtuar edhe Kosovën ku në disa zona janë raportuar problematika.
Nejat Kocinaj, zëdhënës i Autoritetit të Emergjencave Civile, deklaroi se situata nga reshjet dhe përmbytjet po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë territorin. Ai theksoi se ekipet në terren janë në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku paraqitet nevoja, ndërsa vlerësimi i dëmeve po kryhet nga strukturat përkatëse. Kocinaj u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.
“Në Gjakovë, Drenas dhe Mitrovicë ka pasur evakuime të banorëve si pasojë e situatës së rënduar nga reshjet dhe përmbytjet. Në Malishevë është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Vlerësimi i dëmeve do të kryhet nga ekspertët e komunave dhe më pas do të vijohet me procesin e dëmshpërblimeve. Situata po shkon drejt përmirësimit në disa komuna. Komisioni qeveritar do të bëjë verifikimin e vlerësimeve të dëmeve të hartuara nga komisionet komunale dhe më pas procedurat do të vazhdojnë në nivel qeveritar.
Ndërkohë, edhe ritmi i zhvillimit urban në Kosovë po reflekton pasojat e veta, pasi në disa raste nuk janë respektuar standardet e duhura, çka ka sjellë problematika me të cilat po përballemi sot.
Të gjitha akset nacionale janë të aksesueshme, por autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për vozitje të kujdesshme, për shkak të pranisë së akullit në rrugë, si dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme, veçanërisht në zonat ku uji po vërshon dhe kushtet atmosferike po përkeqësohen.”


