Mes konfuzitetit dhe mungesës së një plani B që ka kapluar grupin e vogël që i ka mbetur Lulzim Bashës, po dalin rishtas edhe disa alternativa për mbijetesë. Roland Bejko në një intervistë në ABC News, tha se ka një përmbysje tektonike në PD dhe disa variante janë në proces diskutimi.
“Një variant është që aktiviteti politik të vazhdojë pa parti dhe të presë vendimin e rekursit, duke bashkëpunuar për futjen në zgjedhje nën një parti ombrellë. Një variant tjetër është ky bashkim të dalin me një grup të ri parlamentar që do të shkojë më formimin e një partie të re, me logo dhe vulë.”, tha Bejko.
E megjithatë Bejko nuk do të preferonte që partia e re të bënte gabimet e vjetra, ndaj sipas tij do të duhet transparencë dhe jo më zgjedhje e Bashës pa garë.
“Në një parti të re, do të thotë që do bësh zgjedhje të reja në këtë parti, duhet të bësh një bilanc ‘ku isha dhe ku jam’. Do transparencë, nga i pari tek i fundit. Po ashtu duhet edhe bashkëpunim. Grupimi ynë, e cila na bashkon në tërësi me njëri-tjetrin i akumuluar për 32 vite duhet që ta ruajë këtë lloj uniteti dhe këtë duhet ta ruajë me transparencë.”, tha Bejko.
Bejko tha se nuk i komenton vendimet e deputetëve që kanë shkuar krah Berishës, por PD aktualisht është një parti individuale që në fokus ka vetëm thirrjet për lirimin e kryetarit nga burgu shtëpiak.
/abcnews.al