Tifozët e Atletico Madrid përjetuan emocione drithëruese ditën e djeshme. Ekipi i tyre i zemrës arriti një fitore të çmendur ndaj Osasunës, sukses që e afron me titullin kampion.
15 minutat e fundit të ndeshjes ishin të jashtëzakonshme. Ekipi mik kaloi në avantazh në minutën e 76-të, por “Colchoneros” realizuan përmbysjen e madhe falë golave të Renan Lodit dhe Luis Suarez.
Çlirim i madh për Atleticon, që mjafton të fitojë takimin e fundit kundër Valladolid në transfertë për të fituar titullin e 11-të në histori. I lumtur shfaqet për mediat Diego Simeonen, i cili komentoi fitoren ndaj Osasunës.
“Skuadra zhvilloi një ndeshje të madhe. Krijuam shumë raste për gol dhe reaguam në mënyrën e duhur pasi kaluam në disavantazh. Nuk po i finalizonim rastet, por ia dolëm të shënojmë golat e fitores në momentin më të vështirë.
Suarez? Ai gjendet gjithmonë gati në zonën e golit, ka vendosmëri dhe këmbëngulje të jashtëzakonshme. Ishte i duhuri për të zgjidhur këtë ndeshje të komplikuar dhe të vështirë“, deklaroi trajneri i ekipit kryesues. /abcnews.al