Nga Hergi Llupi
Janë mbyllur këtë fundjavë ndeshjet e ligave kryesore të Evropës, ku ka pasur shumë supriza në rezultate.
Në Serie A, Inter ka arritur të marrë një fitore shumë të rëndësishme ndaj Empolit në transfertë. Zikaltërit fituan me rezultatin e bindshëm 0-3, ku ai që dha firmën në këtë sfidë ishte Romelu Lukaku, me dy gola të shënuar dhe një asist të dhuruar. Interi vazhdon kështu përpjekjen për të zënë një pozicion në top katërshen e Serie A, pasi tashmë është bërë edhe më e vështirë pas rikthimit të pikëve të Juventus. Aktualisht, ekipi i Inzaghit ndodhet në vendin e gjashtë me 54 pikë, dy më pak se Milani në vendin e pestë dhe po aq pikë larg zonës së Champions League.
Nga ana tjetër, kushërinjtë e tyre, Milani, mori një fiotre të rëndësishme gjithashtu në shtëpi me shifrat 2-0 ndaj Leçes. Rafa Leao ishte autori i dy golave të cilat i japin “Djajve” të Milanos shtysë për të lufutar me zikaltërit dhe me Romën për një vend në Champions për sezonin e ardhshëm.
Napoli ka befasuar Juventusin në mbrëmje pasi të kaltërit e Spalletti fituan me një gol në çastet e fundit të sfidës falë Raspadorit. Këto tre pikë të arta e bëjnë akoma edhe më shumë të mundur fitorene Scudettos në mënyrë matematikore.
Lazio i vendit të dytë u mposht në shtëpi nga Torino me shifrat 0-1, duke qenë kështu ende në vendin e dytë të tabelës me 61 pikë, 2 më shumë se Juventus.
Sot në mbrëmje, në orën 20:45, në Bergamo Atalanta do të presë Romën, një sfidë tepër e bukur, dhe sigurisht, ekipet e Milanos do të bëjnë tifo për zikaltërit e veriut.
Në Premier League, Arsenal në fund të sfidës ka mundur të marrë një barazim ndaj Southampton në “Emirates” me rezultatin e përgjithshëm 3-3. Ky rezultat nuk ndikon shumë pozitivisht për “topçinjtë”, pasi Manchester City ndodhet në vendin e dytë me pesë pikë diferencë, por me dy ndeshje më pak.
Ndeshje e javës në Premier League ka qenë padiskutim ajo mes Newcastle dhe Tottenham, me bardhezinjtë që shkatërruan “Spurs” me shifrat e frikshme 6-1. Ky rezultat i jep tre pikë tepër të rëndësishme vendasve pasi ndodhen në vendin e tretë me 59 pikë dhe përfshirja në Champions League për sezonin e ardhshëm bëhet çdo ditë edhe më shumë konkrete.
Liverpool mori një fitore të bukur ndaj Nottringam me rezultatin e ngushtë 3-2. Chelsea, United dhe City do të luajnë në një datë tjetër pasi ishin të përfshira në kupë.
Në Bundesliga, ka pasur një rezultat befasues për Bayern Munich. Bavarezët janë mposhtur në shtëpi nga Mainz me shifrat 3-1, duke mundësuar kështu një tjetër rezultat negativ për Tuchel dhe gjithashtu duke hequr nga duart kreun e tabelës. Bayern Munich renditet tashmë në vendin e dytë me 59 pikë, një më pak se Dortmundi kryesues.
Ekipi verdhezi, Dortmund, mori një fitore 4-0 në shtëpi kundër Frankfurt. Ky rezultat ka bërë të mundur që Dortmund të ngjitet në krye të tabelës me 60 pikë.
Fitore me rëndësi edhe për Union Berlin, Leverkusen, Freiburg, Wolfsburg dhe Werder Bremen.
La Liga ka parë këtë fundjavë që Barcelona dhe Real Madrid të marrin nga një fitore të dyja. Më shumë rëndësi ka pasur për katalanasit, pasi me tre pikët e marra ndaj Atletico Madrid pas fitores 1-0, bën të mundur diferencimin nga vendi i dytë. Skuadra e Xavi ndodhen në krye me 76 pikë tashmë, duke krijuar një distancë prej 11 pikësh nga Real Madrid.
“Los Blancos” fituan gjithashtu ndaj Celta Vigo me shifrat 2-0. Këto tre pikë nuk i japin ndonjë shtysë të madhe për tëq luftuar Barcelonën, pasi tashmë diferenca është e madhe.
Kategoria Superiore në Shqipëri nuk ka pasur rezultate surprizë për ekipet kryesuese.
Tirana mori një fitore shumë të rëndësishme ndaj Vllaznisë me shifrat 0-1, një ndeshje e vështirë e cila u luajt në Shkodër. Kjo fitore i jep bardhebluve mundësinë të shkëputen me 5 pikë ndaj Partizanit, pasi Tirana tashmë ndodhet me 56 pikë në krye, ndërsa të kuqtë e kryeqytetit me 51 pikë në vendin e dytë.
Partizani mposhti në shtëpi Bylisin me shifrat 2-1, duke bërë që ballshilotët të rrezikojnë çdo ditë e më shumë rënien nga kategoria.
Kukësi bëri një hap fals ndaj Kastriotit, me krutanët që mposhtë verilindorët minimalisht. Teuta gjithashtu mposhti Erzenin me shifrat 2-0, ndërsa Egnatia dhe Laçi u ndanë në paqe me shifrat 1-1./ h.ll/abcnews.al