Numri i personave të prekur nga koronavirusi në Spanjë i ka kaluar 33, 000 të prekur. Konkretisht, deri më tani në Spanjë rezultojnë të infektuar me Covid-19, 33,089 persona.
Ndërsa, në total numri i personave që kanë ndërruar jetë është rritur në 2,182, nga këto 410 persona e kanë humbur jetën vetëm në orët e fundit.
Nga ana tjetër, zyrtarët janë shprehur se rreth 12 për qind e rasteve të konfirmuara janë punonjës të shëndetësisë. Ndërsa, vetëm gjatë 24 orëve të fundit rreth 570 pacientë me koronavirus kanë kaluar në njësitë e kujdesit intesv, duke e rritur numrin total në 2,355, raportojnë mediat vendase.
Të dielën, qeveria spanjolle e zgjati “shtetrrethimin” deri më 11 prill. Masat e reja, që kanë nisur të ekzekutohen që nga 14 marsi, u ndalojnë qytetarëve lëvizjen dhe kryerjen e aktiviteteve jashtë shtëpisë.
Kryeministri Pedro Sanchez tha në një konferencë për mediat se “jemi në luftë” dhe i bëri thirrje Evropës që të nisë një program masiv, të koordinuar të investimeve publike, të ngjashme me Planin Marshall të paraqitur pas Luftës së Dytë Botërore. /abcnews.al/