Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur të regjistrojë ankesën e Enkelejd Alibeajt në emër të PD-së për të njohur ndryshimet e bëra në statutin e partisë më datë 18 dhjetor të vitit të shkuar. Gjykata thotë se vendimi është marrë sot dhe shqyrtimi i kërkesës do të bëhet në ditët në vijim pasi të hidhet shorti për caktimin e gjyqtarit.
Një ndër vendimet e rendësishme të atij Kuvendi ishte përjashtimi nga partia e personave që janë “non grata” nga SHBA-të duke synuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Sali Berishën.
Çfarë ndodh nëse gjykata e regjistron statutin e ri të PD-së?
Në PD ka një përplasje statutesh pasi më herët gjykata ka regjistruar vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit të organizuar nga mbështetësit e Berishës duke njohur kështu Komisionin e Rithemelimit si drejtues të partisë dhe jo nënkryetarët dhe drejtuesit e tjerë.
Ndërkohë, nëse gjykata miraton ndryshimet e vendosura nga Kuvendi i 18 dhjetorit atëherë Sali Berisha është përfundimisht i përjashtuar nga Partia Demokratike, ndërkohë që mbetet në fuqi deri në një vendim të dytë vendimi për njohjen e Komisionit të Rithemelimit si drejtues të partisë.
Njoftimi i Gjykatë së Apelit
Duke marrë parasysh interesimin e shtuar të mediave, shtypit të shkruar dhe atij on line, si edhe në përgjithësi opinionit publik, informojmë sa vijon: Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë u shqyrtua kërkesa me Nr. 214 Akti, datë 13.12.2021, me kërkuese: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm z. Gazment Bardhi; me objekt: Pasqyrimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17.7.2021, e gjykuar nga gjyqtare znj. Blerina Muça, për të cilën kjo gjykatë ka dhënë vendimin nr. 2, datë 18.03.2022 dhe ka vendosur: “1. Pranimin e kerkeses se pales kerkuese Partia Domokratike e Shqiperise. 2. Depozitimin e satutit dhe vendimeve te dala nga Kuvendi Kombetar i Partise Demokartike te Shqiperise e dates 17.07.2021. 3. Kunder ketij vendimi mund te behet ankim sipas ligjit.” Kundër këtij vendimi ka paraqitur ankim vetë pala kërkuese Partia Demokratike e Shqipërisë. Sot në datën 12.04.2022, është dërguar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë ankimi i mësipërm. Shorti për caktimin e relatorit të cështjës, do të hidhet po sot, në datën 12.04.2022, ora 14:30. Publiku do të informohet në vijim për të gjitha aspektet procedurale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

