Përjashtimi i 4 deputetëve nga Grupi Parlamentar, juristi: Nikolla e Basha gabuan pa e lexuar ligjin

schedule20:31 - 20 Janar, 2022

schedule 20:31 - 20 Janar, 2022

Disa ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha njoftoi Kuvendin për përjashtimin nga Grupi Parlamentar të Albana Vokshit, Flamur Nokës, Luan Baçit dhe Edmond Spaho. Kurse nga Komisionet Parlamentare u hoqën deputetët që kanë dal në krah ish-liderit të PD Sali Berisha.

Por si veproi Kuvendi me qëndrimin që mbajti pas këtij njoftimi nga PD-ja zyrtare? Juristi Sokol Hazizaj, në një bisedë me Juli Xhokaxhi në “Radari Informativ” në ABC, tregon se ligjërisht nuk janë ndjekur hapat e duhur.

“Kuvendi realizon funksionet e veta në referim Kushtetutës dhe të rregullores së Kuvendit. Në të dyja momentet ligjore, nuk parashikohet që partia të ketë akses ligjor për të përjashtuar asnjë anëtar nga Grupi Parlametar. Parashikohet vetëm prononcimi i çdo deputeti për të qenë pjesë ose për të dalë nga grupi.”

Çdo veprim jashtë kësaj norme, shpjegon juristi, është jo ligjor.

Pra, sipas Hazizajt, kryesia e Kuvendit, kryetarja, kreu i grupit parlamentar të PD dhe Basha “kanë gabuar pa lexuar ligjin duke përjashtuar nga grupi parlamentar deputetë.”

Kujtojmë se në seancën e parë plenare të këtij viti deputetë që përkrahin ish-kryeministrin Sali Berisha i bënë thirrje kryeparlamentares Lindita Nikolla që të mos njihte ndryshimet e bëra nga Basha, duke i cilësuara ato si antikushtuese. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!