Socialistët po përjashtojnë pas çdo seance parlamentare protagonistët e rrëmujës, ku çekiçi i etikës ka rënë mbi idhtarët e Berishës. Aq masive u bë kjo masë, saqë seancën e fundit, votimin e bojkotoi edhe Enkelejd Alibeaj duke i kujtuar Kuvendit se opozitës i mungonin 12 deputetë të përjashtuar.
Thuajse në të njëjtën kohë, në oborrin e Kuvendit, Damian Gjiknuri dha përmes një interviste sinjale se kishte ardhur koha që PS të hiqte dorë nga politika e përjashtimeve. Nga e enjtja në të hënë, kaluan 4 ditë, duke lënë përshtypjen se PS bëri siç tha Sekretari i Përgjithshëm dhe hoqi dorë nga përjashtimet.
Por ndryshe nga sa pritej, Taulant Balla surprizoi. Nga zyra e tij u publikua kërkesa për përjashtimin e 6 deputetëve të tjerë, kërkesë e cila binte ndesh jo vetëm me udhëzimet e Gjiknurit, por edhe dhe në kundërshtim me afatin e përcaktuar në Rregullore se përjashtimet duhen bërë 48 orë pas kërkesës.
Mes përplasjeve të brendshme socialistëve, të cilët përpiqen të kapin hapësirë mediatike kur Rama ikën në Japoni, pritet të ekzekutohen në Sekretariatin e Etikës, me nga 10 ditë përjashtim: Elda Hoti, Sorina Koti, Gerta Bardeli, Oerd Bylykbashi, Lindita Metalia dhe Edmond Spaho. Për këtë të fundit, ndëshkimi kërkohet dyfish 20 ditë./abcnews.al