Emanuel Egbo ka fituar gjithçka si futbollist në vendin tonë dhe sukseset i ka me fanellën e Tiranës, si portier. Nigeriani jeton dhe punon prej vitesh në Shqipëri, ndërkohë që ka provuar të jetë edhe trajner i parë me Bylisin. Tashmë do të ketë mundësinë të drejtojë Tiranë, klubin më të titulluar në vend.
Emocionet për të do të jenë të mëdha, ashtu si përgjegjësia. Ky derbi është ndryshe për shumë arsye. Veç ecurisë negative, largimi i Julian Ahmataj vetëm pak kohë pasi u mbyll bashkëpunimi me Ardian Memën, edhe situata në klub dhe në ekip nuk është e mirë, pasi të premten mungesat do të jenë të shumta.
SHIFRAT E TRAJNERVË NË DERBI – Egbo ka mundësinë për lavdi, pasi Tirana nuk e fiton një derbi që prej 7 shkurtit të vitit 2014. Asokohe në stol ishte Gugash Magani dhe bardheblutë i nderonte braziliani Gilberto. Më pas nisi periudha e errët.
Peqinasi provoi edhe pesë herë të tjera të triumfonte në derbi, por nuk ia doli mbanë. Më pas ishte radha e Shkëlqim Muçës, i cili e drejtoi Tiranën në një takim me Partizanin dhe doli i mposhtur. Jo vetëm kaq, por tifozët e bënë rezil atë dhe ekipin pas asaj humbje të tetorit të vitit 2015.
Radhën e pati Ilir Daja, i cili ishte në krye të bardhebluve në katër derbi. Nën drejtimin e tij Tirana barazoi tre herë dhe humbi një ndeshje. Në maja të vitit 2016 fitorja ishte shumë pranë, por Realdo Fili në shtesë shënoi golin e barazimit 2-2 dhe Tirana mbetet ende në kërkim të fitores së derbit.
Radha ishte për Mirel Josën të tentonte suksesin në derbi, por edhe ai nuk ia doli. Dy barazime dhe një disfatë, më pas një vit pa derbi. Rikthimi në Superiore, Ze Maria në pankinë. Një derbi, një humbje. Një i familjes në krye të Tiranës, Ardian Mema.
E kërkoi me “mish e me shpirt” fitoren, por u mposht tre herë nga Partizanit. Mund të mbahen mend lojërat e mira nën drejtimin e tij, sikurse edhe golat e falur. Në një derbi doli barazim dhe prej pak kohësh ka hapur krahun. Ahmataj as që e kapi derbin dhe tani është radha e Egbo dhe “Air Albania Stadium”, që pret derbin për herë të parë. /abcnews.al