Përgjimet për trafik droge zbuluan ngarkesën me 3.4 mln euro në Durrës

schedule15:14 - 25 Qershor, 2018

schedule 15:14 - 25 Qershor, 2018

Mbajtja në përgjime e disa personave të dyshuar për trafik droge nga Krimet e Rënda ka zbuluar dërgesën prej 3.4 milionë euro me dy “Toyota” në Durrës.

Përgjimet telefonike për llogari të një hetimi të Prokurorisë për Krimet e Rënda kundër një grupi të dyshuar për trafik droge ka zbuluar dërgesën prej 3.4 milionë euro cash të bllokuara të dielën në portin e Durrësit. Burime të rezervuara bënë me dije për ABC News se gjatë veprimeve hetimore proaktive përmes metodave speciale gjatë këtij hetimi autoritetet kanë dëgjuar biseda mbi përpjekjen e trasnportit të një shume cash drejt Shqipërisë.

Transkiptimi i përgjimeve ka bërë më të qartë tablonë dhe faktin se paratë do vinin në bordin e një mjeti të porositur për tregun shqiptar. Pas mbërritjes së kësaj ngarkese në portin e Ankonas në kushte të konfidencialitetit të plotë janë sinjalizuar autoritetet policore portuale të Durrësit, të cilët kanë pritur trailerin, ku ndodheshin mjetet e dyshuara.

Kontrolli fizik zbuloi shumën prej 3.4 milionë euro në brendinë e dy automjeteve “Toyota” të ngarkuara në trailerin që shërben për transportin e automjeteve. Ato ishin pjesë e një ngarkese prej 9 automjeteve në total, nga të cilat shtatë “Toyota”, një “Opel” dhe një “Alfa Romeo”.

Sipas burimeve, sasia e parave ishte voluminoze për shkak të prerjeve të vogla dhe ishin vendosur në të gjithë xhepat anësore të mjeteve, në kroskot dhe poshtë sediljve. Burime të ABC News konfirmuan se porositësi i mjeteve është një biznesmen shqiptar, pronar i një servisi automjetesh në kryeqytet.

Pas kryerjes së veprimeve të para prokuroira e Durrësit ka regjistruar procedim penal për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Ndërkohë që pritet që dosja të merret në dorë nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Aktualisht, policia ka ndaluar dy shoferët e trailerit dhe administratorin e shoqërisë së transportit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!