Përgjimet/ Meta për urdhrin e Prokurorisë: Intimidon median e lirë

schedule18:40 - 6 Qershor, 2019

schedule 18:40 - 6 Qershor, 2019

Në mbështetje të gazetarëve ka dalë edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta. Në një reagim, kreu i shtetit thotë se i ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të thellë publikimet e gazetës së njohur gjermane “Bild”, të audiopërgjimeve dhe po ashtu, edhe urdhrin e prokurorisë për ndalimin e publikimit të këtyre materialeve.

Meta, thotë në reagimin e tij se referencat ligjore të përdorura nga prokuroria, i adresohen për zbatim punonjësve të shtetit, por nxjerrja e një urdhri të tillë, indirekt intimidon median e lirë, çka sipas tij është  e papranueshme për një shoqëri demokratike.

“Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, mbron të drejtën themelore të qytetarëve për informim”, sjell në vëmendje presidenti.

Gjithashtu, ai thotë se asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet mbi këtë të drejtë themelore kushtetuese të medias së lirë e të pavarur për t’u informuar.

Më tej kreu i shtetit inkurajon inkurajon të gjithë gazetarët kurajozë në denoncimin e fakteve dhe të dhënave kriminale. Gjithashtu, ai inkurajon Prokurorinë të hetojë me përparësi, paanësi dhe profesionalizëm këtë dosje të bërë publike por edhe çdo dosje tjetër që ka të bëjë me manipulimin e zgjedhjeve apo intimidimin e qytetarëve me qëllim deformimin e vullnetit të tyre të lirë.

Por Prokuroria e Krimeve të Rënda nëpërmjet një njoftimi për shtyp, sqaron motivet e këtij urdhri.

“Në fazën ku ndodhet hetimi i kësaj çështjeje – deklaron prokuroria, – nxjerrja e akteve me të dhëna të ndryshme që përbëjnë sekret hetimor, mund të ndikojë në rezultatet e hetimit, tjetërsimin apo deformimin e provave. Gjithashtu, sipas prokurorisë për Krime të rënda , nxjerrja e sekretatit cenon edhe sigurinë e shtetasve emrat e të cilëve mund të bëhen publike nga publikimi i paautorizuar i akteve sekrete, të cilët janë pyetur apo do të pyeten për faktet objekt hetimi.

Në fund, prokuroria sqaron se ky urdhër nuk ka për qëllim kufizimin apo cënimin e lirisë së mediave, por vetëm arsyet ligjore të lartpërmendura.

/ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!