Përgjimet e “Zogut të Tiranës” dhe Dajanës, PD: Blerja e votës nga Rama është e kudogjendur

schedule15:31 - 29 Dhjetor, 2019

schedule 15:31 - 29 Dhjetor, 2019

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar rreth përgjimeve të publikuara për shit-blerje vote mes moderatores Dajana Shabani dhe Hermes Nikaj, i quajtur ndryshe ‘Zogu i Tiranës’. Bardhi shkruan se në cdo përgjim të ligjshëm kur hetohet krimi i organizuar apo prostitucioni blerja e votës nga Edi Rama dhe Erion Veliaj është e kudogjendur.

Postimi i plotë i Gazment Bardhit:

“Në çdo përgjim të ligjshëm të prokurorisë, kur heton krimin e organizuar apo kur heton një rrjet prostitucioni, blerja e votës nga Edi Rama dhe Erion Veliaj është e kudogjendur. Edhe kur vetë kandidon, vetë voton, vetë numëron.

Përgjimi i një grupi të akuzuar për rrjet prostitucioni në Tiranë zbulon se për të nxitur qytetarët të votojnë, veçanërisht në Tiranë, janë paguar 20 mijë lekë. Është akoma më e dënueshme, kur në këtë pazar kriminal përfshihet një prezantuese televizive.

Sa kohë Edi Rama të jetë në krye të qeverisë, blerja e votave do vazhdojë. Ai ka bllokuar nëpërmjet prokurorisë së kontrolluar prej tij, hetimin dhe ndëshkimin për dosjet 339 dhe 184, pikërisht si garanci se askush që ble e vjedh vota nuk do të ndëshkohet.

Për Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dosja e re për blerjen e votës në Tiranë në votimet moniste të 30 Qershorit, është një test për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe krimit elektoral!

Dosje si kjo e Tiranës, apo famëkeqet 339 dhe 184 janë prova të pakundërshtueshme se largimi i blerësit dhe dhunuesit të votës të lirë, Edi Rama, si dhe garantimi i zgjedhjeve të lira e te ndershme, është nevojë urgjente për Shqipërinë”, shkruan Bardhi.

Më herët gjatë ditës së sotme edhe nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në rrjetin social “Facebook”  ka reaguar me kritika ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Ai shprehet se një SPAK që do t’i shmanget çështjes më kritike në Shqipëri, asaj të vjedhjes së votave, është një SPAK që vdes pa lindur ende./abcnews.al