Qeveria shqiptare nuk sheh asnjë të përbashkët mes përgjegjësisë së saj për dështimin me negociatat dhe vendimit të Zaev për ta çuar Maqedoninë në zgjedhje të parakohshme. Gent Cakaj tha sot se Edi Rama nuk ka dhënë asnjëherë garanci 100 % për hapjen e bisedimeve, ndryshe nga kryeministri Zaev.
Vendimi i kryeministrit maqedonas për të marrë përgjegjësi e për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, nuk do të thotë asgjë për qeverinë shqiptare.
Mëkëmbësi i Ramës në Ministrinë e Jashtme, Gent Cakaj, i pyetur për këtë çështje nga ABC News, tha se situata e dy kryeministrave është e ndryshme, pasi Rama nuk ka dalë ndonjëherë garant se do t’i hapte patjetër negociatat, siç Zaev ka bërë.
Ministri i Jashtëm në Detyrë, thotë se në Maqedoni, zgjedhjet e parakohshme nuk lidhen vetëm me refuzimin e BE-së për të hapur negociatat. Gent Cakaj nënvizoi se përpjekjet e Shqipërisë do të vijojnë, dhe shansi tjetër është Maji 2020./ABC News Albania