Përgatitjet e kombëtares, Reja shfrytëzon ditët e shumta të grumbullimit

schedule16:26 - 25 Maj, 2019

schedule 16:26 - 25 Maj, 2019

Trajneri Edi Reja po përpiqet të seleksionojë sa më shumë lojtarë gjatë grumbullimit të kombëtares. Italiani ka ftuar disa futbollistë nga Superliga, ndërsa thirri edhe mesfushorin Qose nga Sllovakia.

Siç thuhet, me një gur dëshiron të vrasë dy zogj.

Detyra e tij parësore është që të përgatisë kombëtaren për ndeshjet eleminatore të Europianit, por Edi Reja, e di se nuk ka shumë kohë në dispozicion, për t’u përqëndruar vetëm tek një objektiv.

Grumbullimi i tij i parë dhe mjaft i gjatë, në stolin kuqezi, po shfrytëzohet edhe si një seleksionim, pra përzgjedhje e lojtarëve që mund të jenë të vlefshëm.

Në grupin e lojtarëve të kombëtares dhe të Shqipërisë 21, që kanë punuar së bashku me italianin, bëjnë pjesë 4 lojtarë të Partizanit, portieri Hoxha, Trashi, Telushi dhe Asani, ndërsa është thirrur edhe një djalë i ri nga Tirana.

Jurgen Çelhaka, 20 vjeç, është pjesë e Shqipërisë U20, ndërsa në Tropikal është në përbërje të grupit të ekipit kombëtar Shpresa, të cilët po stërviten bashkë me lojtarët e skuadrës së të rriturve.

Nga Sllovakia, ndërkaq, mësohet se në ekipin përfaqësues do të jetë edhe Kristi Qose, lojtar i Ruzhomberokut në Ligën e Parë sllovake.

Ai realizoi me penallti në formë Panenka, në humbjen 2-4 të pësuar së fundmi nga ekipi i tij në fushën e Zhilinës, por mesfushori shqiptar është në formë shumë të mirë pasi ka realizuar 9 herë në 32 javë kampionat.

Trajneri Reja ka rikthyer në kombëtare edhe Hysen Memollën, që tani luan për Salernitanën në Itali, dhe që ishte thirrur, por ishte lënë jashtë më pas, nga Panuçi./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!