“PD habitet, ne mbështesim drejtësine”, Veliaj: Berisha e Meta na sulmojnë se nuk kanë ide e projekte

schedule10:50 - 9 Maj, 2024

schedule 10:50 - 9 Maj, 2024

Nga Asambleja e Partisë Socialiste të Tiranës  drejtuesi politik për Qarkun    Erion Veliaj  tregoi ndryshimin që sipas tij ekziston  mes mazhorancës dhe opozitës. Sulmi i Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë  ndaj  Partisë Socialiste sipas Erion Veliajt ka disa arsye. Për demokratët që paralajmëruan  votë kundër në parlament për  marrëveshjen  me  qeverinë gjermane  për  financimin e transportit të gjelbër në Tiranë   Veliaj kishte këtë përgjigje

“Askush të mos ketë asnjë dyshim, ky nuk është një ushtrim politik, kjo nuk është një stërvitje për nxehje, por kjo është përgatitja për fitoren e Edi Ramës dhe PS-së në vitin 2025, siç i ka hije PS dhe siç i ka hije Qarkut të Tiranës, që do të jetë vendimtar se sa e fortë dhe sa bindëse do të jetë fitorja jonë, për t’i pasur duart e lira, një mendje të lirë, për të mos u penguar nga askush, për të mos u kapur peng nga asnjë parti e vogël dhe me aleanca problematike të së kaluarës, por për ta qeverisur Shqipërinë drejt vizionit 2030, me vota që vijnë nga vullneti i lirë i qytetarëve të Shqipërisë, por sidomos i qarkut tonë, që prodhon edhe numrin më të madh të mandateve për deputet”, tha Veliaj.

Ai shtoi se Partia Socialiste nuk është perfekte, por ajo sigurohet që, nëse një organizëm i saj ka një problematikë, ta korrigjojë dhe ta shërojë atë, për të vijuar përpara me punë.

“Familja jonë nuk është perfekte! Organizmi ynë nuk është perfekt, njësoj si organizmi i secilit prej jush këtu. Në organizmin tonë ka pa fund anomali, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Nëse je realist dhe kupton se, po, një organizëm mund të ketë probleme të tilla, dhe siç heqim një dhëmballë, siç ndërhyjmë për një problematikë që kemi në organizmin tonë, është shumë e rëndësishme, jo ta mohojmë atë, jo ta mbrojmë dhe të hiqemi sikur jemi imunë, por të sigurohemi që ta korrigjojmë atë problamtikë në organizimin tonë, ta adresojmë, dhe patjetër ta mjekojmë dhe ta shërojmë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se pala tjetër sulmon sepse po shkon nga humbja në humbje të njëpasnjëshme. Sipas tij, ata habiten se si Partia Socialiste ka aftësi vetëkuruese, reflektuese, vetëshëruese, për të përfaqësuar në mënyrë të dinjitetshme Shqipërinë. Veliaj tha se PS është familja më e madhe, më patriotike, më shtetformuese që ka Republika e Shqipërisë.

“Pala tjetër na sulmon, por ata nuk dinë të përgatiten, nuk dinë të bëjnë një program, nuk dinë të thonë një gozhdë që kanë ngulur në Tiranë, nuk dinë të thonë një ndryshim që kanë sjellë në Shqipëri. I shikon ose mbi ballkon ose mbi paralele dhe i bën pyetje vetes: Çfarë ka bërë ky njeri për qytetin tonë? Ku është një vend që këta kanë vënë dorë dhe kanë sjellë një ndryshim që ka përmirësuar jetën time? Ata, në fakt, na sulmojnë sepse nuk e kanë dot qëndrimin tonë ndaj drejtësisë. Qëndrimi ynë ndaj drejtësisë është ai që kemi patur që në vitin 2013 kur erdhëm në qeveri dhe morëm në administrim punët e një Shqipërie që ishte lënë rrugëve, të një Tirane që kundërmonte erë. Ata nuk tronditen nga arritjet tona sepse arritjet tona i kanë bërë edhe ata të jetojnë më mirë sot. Edhe ballkonit ku ai mallkon çdo natë, i është trefishuar vlera e pronës; edhe paralelja ku gajasemi çdo mëngjes, në gjithë atë zonë kodrinore i është katërfishuar vlera e pronës, sapo mbaroi pjesa e unazës dhe infrastruktura në Lagjen 13. Ata, në fakt, pataksen nga mënyra se si ne e shohim shtetin. Ata shtetin e shohin për ta shqyer, ndërkohë që ne themi shteti ka disa struktura që bëjnë punë, ka disa struktura që kontrollojnë punën e atyre që i bëjnë këto punë dhe nëse ka një anomali është mëse normale që, si çdo organizëm, do duhet ta adresojë atë. Ata habiten që ne shkojmë në SPAK, ata habiten që ne duartrokasim drejtësinë”, tha Veliaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!