Përfundoi takimi i kreut të shtetit Ilir Meta me anëtarët e komisionit të jashtëm për negociatat e paktit detar me Greqinë. Mazhoranca dhe opozita ndahen në disa qëndrime sa i përket marrëveshjes së paktit detar me Greqinë.
Pas takimit deputeti demokrat Edi Paloka tha se u ra dakord që të qëndrohet te vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa shqetësim sipas tij është mungesa e transparencës.
“Ramë dakort të gjithë si mazhorancë dhe opozitë që qëndrimi i presidentit është korrekt dhe i përgjigjet përgjegjësisë dhe detyrimit që ka për të qëndruar fort te vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Mos dakortësia ishte mungesa e transparencës, por ky është një element i qartë për këdo. Shqetësim ishte mungesa e transparencës dhe a ka arsye për të fshehur përderisa s’janë transparentë në këtë marrëveshje të rëndësishme? Pati kërkesë për verifikim më të mirë të grupit të negociatorëve përderisa ka palë, apo grupe që ngrenë rezerva ndaj disa negociatorëve”, -deklaroi Paloka.

Ndërsa deputetja e LSI-së Klajda Gjosha tha se edhe në këtë takim u bë e qartë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vija e kuqe.

“Dëshiroj të falenderoj Presidentin që iu përgjigj thirrjes së opozitës. Ishte takim konstruktiv dhe konsultativ. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vija e kuqe e gjithë negociatave. Presidenti ishte i qartë në këtë takim, besoj se ky vendim do ta bëjë gjithë marrëveshjen me palën greke të pakontestueshme”- tha Gjosha.
Deputetja socialiste dhe kryetare e Komisionit të jashtëm Mimi Kodheli tha se u ra dakord me Presidentin që kjo marrëveshje të mos dështojë.
“Ramë dakord me nevojën që kjo marrëveshje të mos dështojë. Nuk hymë në asnjë emër negociatorësh, grupi negociator është prezantuar te Presidenti”

Deputeti demokrat Tritan Shehu deklaroi pas takimit se në takim u shprehën të gjitha shqetësimet e opozitës për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Zgjidhja racionale e kësaj çështjeje, arritja e një marrëveshjeje të drejtë për të gjithë palët e stabilitetin, evitimi i çdo mungese transparence është çuarja e kësaj dosjeje në mirëkuptim me palën greke në Hagë”-tha Shehu.

/abcnews.al

