Meta drejt qelisë/ Gjykata e la në burg, ish-Presidenti dërgohet në Burgun 313

schedule18:12 - 23 Tetor, 2024

schedule 18:12 - 23 Tetor, 2024

TIRANË– Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të lë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Ilir Metën.

Ish-Presidenti i Republikës është dërguar në “Burgun 313”. Për Monika Kryemadhin, Gjykata vendosi të lërë në fuqi masën “detyrim paraqitje”.

Ndërsa për Piro Xhixhon u ndryshua masa, nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje.

Me kërkesë të SPAK, Policia arrestoi më 21 tetor 2024 kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta, nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Monika Kryemadhit.

Fjalë fyese ka përdorur Ilir Meta në sallën e gjyqit, i cili është gjendur përballë kreut të SPAK, Altin Dumani në seancën gjyqësore në GJKKO.

“O Dumduman, do të kap për veshi! O dum duman o këlysh i Sorosit” mësohet t’i jetë drejtuar Meta, Dumanit në sallën e gjyqit në GJKKO/

Masa e sigurisë dhe akuzat për Metën, Kryemadhin dhe të tjerët:

Ilir Meta, masa e sigurimit personal  “Arrest në burg”,  i dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”  në 3 raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Monika Kryemadhi, masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”  në 2 raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Piro Xhixho, masa e sigurimit personal “detyrim paraqitje”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim.

Ema Çoku, masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim./ abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!