Rreth 3 orë zgjati protesta e opozitës këtë të diel. Ajo nisi rreth orës 19:00 ashtu siç ishte parashikuar ndërsa 30 minuta më vonë, protestuesve përpara Kryeministrisë iu bashkua edhe kreu i demokratëve Lulzim Basha. Përgjithësisht aty nuk u prodhuan incidente, përveç një momenti kur drejt hyrjes së godinës u lëshuan kapsolla.
Më pas protesta u zhvendos tek Kuvendi ku u pasua edhe me tensione mes protestuesve dhe policisë. Tubuesit hodhën fishekzjarre, kapsolla dhe tymuese në drejtim të forcave të rendit. Gjithashtu thyen traun hyrës dhe shembën kordonet metalike. Policia reagoi me ujë dhe gaz lotsjellës.
22:10 – Lulzim Basha: Qindra mijë prej jush sollët me vete energjinë, vendosmërinë shpresën dhe besimin tek e e nesërmja e re që po vjen. Mesazhi i parë i qartë dhe i prerë është se Edi Rama dhe banda e tij ta harrojnë se do ta mbajnë pushtetin e marrë me dhunë duke dhunuar qytetarët.
Edi Rama dhe banda e tij ta harrojnë, shqiptarët nuk do të pranojnë dhe nuk do të lejojnë mbajtjen e pushtetit me dhunë. Gjatë protestës tonë bëmë gjithçka siç kemi bërë gjithmonë që asnjë efektiv policie, e kam fjalën për ta që ju qan zemra si shumica e shqiptarëve që nuk duan më të jenë të çnderuar pasi Rama e ka vënë
Pavarësisht prej përpjekjeve tona përgjigja brutale e kupolës që nuk ka asgjë të përbashkët me policinë, me ligjin ishte dhunë disproporcionale si rezultat i së cilës janë plagosur disa protestues me fraktura në kokë dhe plagë të thella në këmbë. I the sot Edi Ramës dhe sejmenit të tij zuzar dhe sadist Sandër Lleshaj se do mbani përgjegjësi para ligjit. Përpjekja jua tinëzare për t’i faturuar dhunë një proteste kundër dhunës do të marrë përgjigjen e merituar.
21:42 – Ministri Lleshaj në Twitter: Ka mbërritur në 7 numri i policëve të plagosur nga sulmi i militantëve të Lulzim Bashës. Për këtë do të ketë përgjegjësi përpara ligjit.
21:26 – Policia fillimisht hedh ujë në drejtim të protestuesve. Më pas përdoret gaz lotsjellës. Protestuesit shpërndahen nga zona përpara parlamentit.
21:26 – Policia, thirrje në megafon drejtuar protestuesve dhe organizatorëve të protestës:
Të nderuar qytetarë, ruani qetësinë, ruani gjakftohtësinë. Mos hidhni lëndë piroteknike, fishekzjarre, kapsolla, tymuese dhe sende të fortë në drejtim të punonjësve të Policisë. Hedhja e kapsollave, sendeve te forta dhe lëndëve piroteknike po rrezikon jetën e punonjësve të Policisë. Të nderuar organizatorë të tubimit:
I nderuar zoti Lulzim Basha dhe z. Gazmend Bardhi merrni masa të menjëhershme që protestuesit të ndërpresin veprimet e dhunshme. Po dëmtoni e rrezikoni jetën e punonjësve të policisë. Si organizatorë të protestës, jeni përgjegjës përballë ligjit për mbarëvajtjen paqësore të tubimit, ndaj menjëherë merrni masa që protestuesit të ndalojnë hedhjen e kapsollave dhe lëndëve piroteknike, sendeve te forta në drejtim të Policisë.
21:06 – Një person i lënduar shoqërohet nga protestuesit për të marrë ndihmën e parë. Dyshohet se u godit nga mjete piroteknike.
20:49 – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj reagon në Twitter: Një oficer policie është dëmtuar nga mjetet e ndaluara shpërthyese që hodhën protestuesit. Drejtuesit e protestave duket se kanë financa të mëdha për të blerë mjete shpërthyese të ndaluara, por edhe vullnet të plotë për të goditur forcat e rendit. I bëj thirrje Lulzim Bashës që të ndalojë sulmin ndaj forcave të Policisë së Shtetit!
20:47 – Presidenti i Republikës, Ilir Meta bën thirrje për vetëpërmbajtje, shmangien e incidenteve dhe provokimeve.
20:40 – Protestuesit mbërrijnë përpara Kuvendit dhe hedhin në drejtim të saj flakadanë, tymuese, kapsolla dhe fishekzjarre. Policia bën thirrje për qetësi.
20:24 – Basha u bën thirrje protestuesve të marshojnë drejt Kuvendit.
“Të gjithë bashkë drejt parlamentit për ta bërë të qartë se beteja jonë do vazhdojë deri në fitore”, tha Basha.
20:10 – Disa protestues heqin kordonin metalik që rrethon pjesë përara kryeministrisë. Basha bën thirrje që të mos preken policët.
“Vëllezër dhe motra, mos lëndoni oficerët e policisë, mos prekni asnjë oficer policie, sepse hiq 2-3 servilë të inkriminuar, mendjet e tyre mendojnë, ata nuk flasin, por shpirti i tyre këndon ‘Rama ik’, tha ai.
20:00 – Protestuesit ndezin tymuese dhe hedhin kapsollash drejt Kryeministrisë ndërkohë që Basha mban fjalimin e tij.
19:47 – Kryedemokrati Basha mban fjalim.
“Jeni mbledhur dhe keni derdhur në këtë shesh këtë energji, këtë vendosmëri. Dua t’ju shpreh sot mirënjohjen time, por në fakt kam nderin dhe privilegjin tju shpreh mirënjohjen në emër të çdo vogëlushi shqiptar, në emër të gjithë fëmijëve shqiptarë, në emër të gjithë shqiptarëve për këtë asamble të paparë dhe të dëgjuar të lirisë dhe demokracisë. Të mbledhur kaq të vendosur e të qartë në kushtrimin tuaj që sonte u shkund por ta dëgjuar e gjithë bota: Rama ik!
Ky bashkim popullor është bashkimi i shqiptarëve të vjedhur, shqiptarëve të shtypur, shqiptarëve të dhunuar, është bashkimi i shqiptarëve të nëpërkëmbur, të mashtruar, të tradhtuar nga një bandë kriminale që kurrsesi nuk mund të jetë në krye të qeverisë.
Sot endet nëpër Shqipëri kufoma politike e njeriut më të urryer që nga diktatura. Edi Rama është njeriu që u kap duke vjedhur votat e shqiptarëve me banditët më famëkeq të Shqipërisë dhe Evropës. Sot ai duhet të ishte para drejtësisë, sot duhet të jepte llogari për hajdutërinë e gjithë hajdutërive, vjedhjen e pushtetit që ju takon ju dhe që do ta merrni mbrapsht me çdo kusht”, u shpreh ai gjatë protestës së opozitës.
19:31 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha del nga selia blu dhe bashkohet me mbështetësit e tij para Kryeministrisë.
19:03 – Nis protesta përpara Kryeministrisë. Protestuesit e opozitës janë mbledhur para godinës së qeverisë.
Për këtë tubim ishte kërkuar leje deri në mesnatë. Ndërkohë Policia e Shtetit kaloi në gatishmëri të plotë. Mësohet se më shumë se 1500 forca u angazhuan për mbarëvajtjen e protestës.
Kryeministria, Parlamenti, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe ajo e Tiranës ishin nën mbrojtjen e bluve deri në përfundim të protestës. Institucionet ku priten të kalojnë mbështetësit e opozitës janë rrethuar me barriera metalike.
Rruga pas Kryeministrisë u bllokua që në mesditë, ndërsa bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në orën 17:30. Makinat u hoqën nga këto zona për të shmangur çdo incident të mundshëm.
Policia në institucione ka instaluar kamera sigurie me rezolucion të lartë për të bërë të mundur identifikimin e atyre që shkelin ligjin. Oficerë të tjerë të policisë janë të vendosur në tarracën e kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit edhe ata të pajisur me kamera.
Kërkesat e opozitës mbeten të njëjta, ajo e krijimit të një qeverie tranzitore pa Ramën kryeministër dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme./abcnews.al

