Një investim i nisur para dy vitesh në lotin e parë për rrugën e lumit të Vlorës sapo ka përfunduar. Ndërkohë pritet të nisë puna edhe për dy segmente të tjera të kësaj rruge deri në Himarë. Ky aks rrugor krijon një lidhje të re me jugun e vendit dhe do të përfitojnë mijëra banorë të Vlorës, Selenicës dhe Himarës.
86,6 milion dollarë,investimi total për rrugën e lumit të Vlorës, përfundon loti i parë i investimit, nga fshati Babicë deri në fshatin Gjorm. Bëhet fjalë për një nyje shumë të rëndësishme të infrastrukturës që do të lidh Vlorën me fshatrat e Lumit të Vlorës dhe shkon deri në Himarë.
Segmenti i dytë 27.1 kilometra shtrihet nga Ura e Gjormit-Brataj-Ura e Laskos, ndërsa segmenti i tretë prej 23.7 kilometra vazhdon nga Ura e Laskos-Qeparo. Këto dy segmente aktualisht janë në procedurat e fundit të tenderimit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Gjatësia e projektit përfundimtar të rrugës së lumit të Vlorës është 90 km. Nga investimi pritet të përfitojnë mbi 129 mijë banorë, të fshatrave të Vlorës, Selenicës dhe Himarës.
Punimet për rrugën e lumit të Vlorës startuan në vitin 2017, ndërsa përfundimi i plotë i kësaj rruge pritet të përfundojë në vitin 2022./ABC News Albania 24/7