Përfundon kursi, Mavraj, Lenjani e Muça marrin licencën e trajnerit

schedule11:42 - 16 Korrik, 2022

schedule 11:42 - 16 Korrik, 2022

Sektori i Edukimit në FSHF përmbylli një tjetër kurs të rëndësishëm për trajnerë në Shqipëri. Bëhet fjalë për kursin e nivelit UEFA B, teksa ka përfunduar me sukses edicioni i tretë në radhë i këtij kursi në zonën e veriut, në Shkodër.

Ky kurs nisi më 14 shkurt të këtij viti dhe zgjati për gati 5 muaj, teksa të gjitha leksionet janë zhvilluar në Shkodër. Një risi e FSHF-së, që i jep mundësinë trajnerëve të “zhvillojnë” kursin në zonën e tyre dhe jo të ndjekin kursin në Qendrën e Ekipeve Kombëtare.

Në seancat mësimore të këtij kursi morën pjesë 22 ish-lojtarë dhe lojtarë aktualë, mes tyre edhe emra mjaft të njohur dhe me kontribut të vyer për Kombëtaren Shqiptare si ish-kapiteni Mërgim Mavraj apo mesfushori aktual Ermir Lenjani, por edhe lojtarë si Gentjan Muça, ish-kapiten i Tiranës, Andra Nikolla, ish-futbollist i Partizanit, Ergi Borshi e Arsen Hajdari, ish-futbollistë të Vllaznisë etj.

E gjithë kurrikula që ndoqën trajnerët tashmë të rinj, është përgatitur nga UEFA në bashkëpinim me Sektorin e Edukimit në FSHF.

Kjo e premte shënonte edhe ditën e fundit të kursit për 22 të regjistruarit, të cilët iu nënshtruan një testi final, ndërsa më pas patën mundësi të tërhiqnin edhe kartën e licencimit, përmes një ceremonie modeste të zhvilluar në Shkodër.

Në këtë ceremoni u prezantua edhe Drejtori i ri i Shkollës së Trajnerëve, Sulejman Starova, një emër mjaft i njohur dhe me eksperiencë të gjatë në trajningun shqiptar. Ai u uroi shumë suksese të gjithë të diplomuarve dhe i ftoi të ndjekin dhe të zhvillojnë rrugën e tyre si trajnerë në Shqipëri. / fshf.org

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!