Përfundon koalicioni 3-vjeçar mes LDK dhe LVV në Vushtrri

schedule11:44 - 29 Janar, 2021

schedule 11:44 - 29 Janar, 2021

Ka përfunduar koalicioni tre vjeçar mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Vushtrisë.

Lajmin e konfirmoi kryetari i komunës së Vushtrisë, Xhaferr Tahiri gjatë një konference për mediat në Kosovë.

“Kam liruar nga detyra bartësit e detyrës në komunë që vijnë nga LVV. Me këtë akt përfundon koalicioni tre vjeçar në Komunën e Vushtrrisë mes LDK-së dhe LVV-së. Arsyeja e këtij vendimi është sepse LVV dje në mbledhje e Kuvendit të Komunës nuk e ka votuar Programin për Rimëkëmbje Ekonomike të Vushtrrisë”, është shprehur ai.

Më herët Tahiri nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” , paralajmëroi se  LDK’ja e cila udhëheq me këtë komunë ka prishur koalicionin me partinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

Kjo sipas tij për shkak se këta të fundit nuk  votuan dje Programin për Rimëkëmbje Ekonomike të Vushtrrisë.

Statusi:

“Të dashur qytetarë të Vushtrrisë.

Plani i Rimëkëmbjes ekonomike të Vushtrrisë ka 3 masa – propozime themelore që duhet të aprovohen në Kuvend të Komunës dhe nga Qeveria e Kosovës.

– Moratorium 4 vjeqar për asfalt, rialokim i buxhetit në projekte për punësim e zhvillim sepse 687 nga 750 km rrugë, ose 91% e rrugëve lokale në Vushtrri janë të asfaltuara. Vetëm granti qeveritar do të përdoret për asfaltim të rrugëve.

– 25 % ulje të tatimit në pronë në 4 vitet e ardhshme për qytetarët dhe bizneset e Vushtrrisë. 0 tolerancë për mos paguesit e tatimit dhe taksave komunale.

– Mbi 200 milion euro investime, publike dhe private në projektet vitale për transformimin e Vushtrrisë në 5 vitet e ardhshme.

Ky plan sot u votua nga shumica e Kuvendit të Komunës, urime dhe faleminderit. Ky është vetëm hapi i parë.

Por, është e papranueshme që partneri ynë i koalicionit, VV të votojë sot KUNDËR planit të rimëkëmbjes ekonomike, sepse kryesia e partisë në një zyrë jashtë Komunës paska vendos kështu.

Nuk ka kuptim të vazhdosh të jesh në një bashkëqeverisje e të minohet një plan i daljes nga kriza, e një vision si do të duket Vushtrria në 10 vitet e ardhshme, pa ofruar një alternativë tjetër.

Ishte plan i rimëkëmbjes të cilin e nisëm bashkë, për një mendim ndryshe, për një koncept ndryshe, e tërë procedura u udhëhoq nga Drejtoria komunale që udhëhiqet nga VV, por quditrisht partneri i koalicionit zgjedhi të bëjë politikë sepse është kohë fushate.

Komuna nuk është në fushatë, kriza nga pandemia është e madhe, Komuna duhet të paraqesë plan për të dalë nga kriza.

Është plani i parë i hartuar në nivel vendi, janë 14 projekte jetike që do të transformojnë komplet qytetin dhe do të kenë ndikim direkt në jetën e qytetarëve, projektet si:

– Ngrohtorja e Qytetit, që e ulë koston e ngrohjes për qytetarët dhe bizneset deri në 40%,

– Impianti i ujërave të zeza,

– Projekti i gasifikimi të qytetit, që e ulë koston e jetesës për ekonomitë familjare në Vushtrri deri në 40%,

– Zona Ekonomike Ndërkombëtare në Banjskë

– Liqeni akumulues në Sllakovc, plan i Bankës Botërore i viteve 70’ta, investim përmes granteve ose kredisë së butë, rritë sigurinë e ujit, energji e ripërtritshme dhe siguron ujitje për tokat bujqësore,

– Ndërtimi i parkingjeve publike në Komunë

Dhe shumë të tjera.

Më vjen keq që politika ditore sot na ndau kur qytetarët duan që të jemi bashkë dhe të dalim nga kjo krizë e rëndë ekonomike.

Ju lutem shihni e vlerësoni planin tonë të rimëkëmbjes në faqen zyrtare të Komunës së Vushtrrisë, sygjerimet dhe rekomandimet tuaja janë tepër të mirëpritura nga ne.

Me respekt,

Xhafer Tahiri

Kryetar i Vushtrrisë

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!