Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit që do të mbahen në katër komunat në veri të Kosovës.
Kjo parti politike nuk ka paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve asnjë kandidat për pjesëmarrje në zgjedhje për kryetar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, apo për ndonjërën nga dy kuvendet komunale, Zveçan dhe Leposaviç.
Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në përfundim të afatit, 9 deri 22 mars, asnjë subjekt politik nuk ka aplikuar për pjesëmarrje gjatë këtij afati të ri.
“KQZ njofton se ka përfunduar periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan dhe në zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviç, të cilat do të mbahen më 23 prill. Gjatë periudhës 14 ditore të aplikimit (09 – 22 mars 2023) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka pranuar ndonjë aplikim nga ndonjë subjekt politik”, thuhet në njoftimin e KQZ-së./abcnews.al