Dëme të mëdha materiale pati nga zjarri që ra në tregun industrial në Laç. 70 tregtarët që veprojnë aty kanë humbur miliona lekë.
Një zjarr i fuqishëm përfshiu tregun e madh në qytetin e Laçit rreth orës 5.30 të mëngjesit të kësaj të hëne.
Fillimisht zjarri ra në tregun e rrobave dhe më pas në atë industrial, duke shkaktuar mjaft dëme tek tregtarët.
Po ashtu u raportua se flakët u përhapën dhe në një kompleks lokalesh dhe banesash që ndodheshin pranë. Zjarri ishte i fuqishëm për arsye se në treg ka pasur edhe bombola gazi, të cilat shpërthyen njëra pas tjetrës.
Zjarrfikësit e Laçit, të ndihmuar nga ata të Lezhës e Krujës pas afro dy orësh operacion vunë në kontroll zjarrin.
Në vendngjarje shkuan edhe forca të shumta policore.
Zyrtarisht nuk janë përcaktuar ende shkaqet e rënies së zjarrit, por ka supozime se ai mund të ketë qenë i qëllimshëm.
Dyshohet se zjarri mund të jetë vënë nga një person që sapo ka dale nga burgu. Ai mendohet se ka qenë pjesë e së ashtuquajturës “Banda e Babagjyshëve”, që akuzohet për disa grabitje./abcnews.al