Fitorja nuk diskutohej, megjithatë erdhi me shumë vuajtje. “Tulipanët” e Holandës e kanë nisur në mënyrën më të mirë të mundshme rrugëtimin e tyre, në këtë Kampionat Evropian të futbollit, teksa në ndeshjen e mesditës të së dielës, “Volksparkstadion” të Hamburgut mundën me rezultatin e ngushtë, 2 me 1, “Shqiponjat e Bardha” të Polonisë.
Tepër i lumtur për performancën e skuadrës së tij është edhe tekniku i “Tulipanëve”, Ronald Koeman, i cili pas ndeshjes është shprehur për mediat se Holanda mund të kishte realizuar të paktën katër gola, teksa shtoi më tej se me çka parë deri më tani Evropiani i Gjermanisë do të jetë spektakolar.
“Shënuam 8 gola në dy miqësoret përgatitore, ndërkohë që përballë Polonisë duhet të kishim realizuar të paktën 4 gola! E më pas të gjithë do të shpreheshin se jemi në të njëjtin nivel me Gjermaninë.
Kam parë disa ndeshje të Europianit dhe kam vënë re një ngjashmëri mes skuadrave. Si për shembull në qarkullimin e topit, ku disa ekipe kanë një përqindje të lartë të mbajtjes së topit. Ndoqa Italinë kundër Shqipërisë, “Të Kaltërit” u shfaqën shumë sulmues, skuadër që mban topin dhe shtyn përpara. Të shohim se çfarë do të ndodhë në vijim, por jam i sigurt që do të jetë një Evropian fantastik”,- deklaroi trajneri Ronald Koeman. /i.m /abcnews.al