Me fillimin në mënyrë zyrtare, të merkatos së janarit, “ylli” francez i “gjigantëve” të Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe është rikthyer sërish në qendër të thashethemeve, me 25-vjeçarin, që është në muajt e tij të fundit të kontratës, që ka krijuar aq shumë polemika, me “padronët” e Ligue 1.
Si në çdo fraksion merkatoje, të këtyre 2 viteve të fundit, “Galaktikët” e Real Madrid janë në “pole position” për sigurimin e shërbimeve të ish-kampionit të botës dhe në shumë media përflitet që akordi është arritur, mirëpo, për të sqaruar gjithçka reaguan përfaqësuesit e sulmuesit duke theksuar se ende nuk ka akord me spanjollët dhe se Mbappe nuk do të ndikohet nga askush për të ardhmen e tij.
“Nuk ka asnjë të re dhe asnjë marrëveshje për të ardhmen e Mbappe. Nuk ka pasur diskutime për një transferim të mundshëm. Duam të theksojmë se askush dhe asgjë nuk do të ndikojë në vendimin e Mbappe për të ardhmen. Gjithçka do të vijë në momentin e duhur”,- ishte reagimi i përfaqësuesve të “yllit” francez të sulmit. /i.m /abcnews.al