Perëndimi ka uruar më në fund presidentin rus Putin për rizgjedhjen. Donald Trump e ka telefonuar atë dhe së bashku kanë diskutuar për një sërë çështjesh. Ndërsa presidenti i KE, Juncker ka shprehur gatishmërinë e Brukselit për dialog.
Ndonëse pak me vonesë, presidenti rus Vladimir Putin ka marrë urimet nga liderët perëndimorë për rizgjedhjen e tij në krye të Kremlinit. Presidenti amerikan Donald Trump e ka telefonuar atë për ta uruar dhe gjatë bisedës dy liderët kanë folur edhe për mundësinë e një takimi mes tyre në të ardhmen. Sipas një njoftimi për shtyp të Kremlinit, Trump dhe Putin kanë folur edhe për Sirinë dhe Ukrainën, duke e vënë theksin tek nevoja për të zgjidhur të dyja krizat. Nuk ka munguar çështja bërthamore e Koresë së Veriut, për të cilën presidentët kanë vlerësuar se është e rëndësishme zgjidhja e saj në rrugë paqësore. Ndërkohë, presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker i ka dërguar një letër ku e uron presidentin Putin dhe mes të tjerash nënvizon se, BE dhe Rusia duhet të bashkëpunojnë për sigurinë pan-europiane. I pari lider perëndimor që e uroi presidentin rus për rizgjedhjen ishte ai francez, Emmanuel Macron, që mes të tjerash i kërkoi atij që pala ruse të ndihmojë në zbardhjen e helmimit të ish-agjentit rus në Angli, Sergei Skripal. Të njëjtin mesazh dha një ditë më parë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila tha gjithashtu se BE duhet të mbajë qëndrim të njëjtë si ndaj Rusisë, ashtu edhe Kinës./abcnews.al