Kurti: Banditët të kthehen në Serbi ose të arrestohen në Kosovë, pastaj zgjedhjet

schedule09:01 - 3 Qershor, 2023

schedule 09:01 - 3 Qershor, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk e përjashton mundësinë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në një intervistë për median amerikane NBC News, kreu i qeverisë kosovare tha se zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe demokratike.

“Kryetarët që fituan zgjedhjet e 23 Prillit kanë legjitimitet të vogël për shkak të pjesëmarrjes së vogël. Ne kemi bërë thirrje që të merrnin pjesë të gjithë, por Beogradi zyrtar kërcënoi, bëri presion dhe intimidoi serbët për të mos marrë pjesë. Këta kryetarë kanë legjitimet të vogël, por janë të vetmit të ligjshëm. Nuk e kontestoj domosdoshmërinë në një moment për zgjedhje të parakohshme, por paraprakisht duhet të kemi sundimin e ligjit në vend, që këta banditë, ekstremistë të dhunshëm që u paraqitën të jenë para ligjit dhe më pas të ketë kushte dhe fushatë dhe të hapur për zgjedhje demokratike”, u shpreh Kurti.

Sipas Kurtit, serbët e Kosovës duan që të marrin pjesë në zgjedhje por nevojitet që Beogradi të mos ushtrojë presion ndaj tyre. Ai tha se detajet për zgjedhjet e reja dhe çështjet e tjera do t’i diskutojnë me të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar dhe të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, javën e ardhshme.

Kreu i ekzekutivit bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të ndihmojë që serbët në Kosovë të jenë të lirë të ushtrojnë të drejtat e tyre. Kurti shtoi se bota demokratike perëndimore u shqetësua pas veprimeve të fundit të qeverisë, pasi siç thotë ai, kishin frikë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç mund ta destabilizonte rajonin.

Çfarë kemi bërë, ishte detyra jonë. Sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe respektimi i kryetarëve që duhet të shkonin në zyra. Por si duket ka pasur shumë shqetësime në botën demokratike perëndimore pasi presidenti serb mund ta destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin”, u shpreh ai.

Ai thotë se Serbisë, e veçanërisht Rusisë, i pengon që Kosova të ketë sukses si shtet. “Rusia nuk do që Kosova të ketë sukses si shtet, sepse ne jemi një histori suksesi e NATO-s. Nuk jemi një shtet i madh, por jemi shembull i mirë se si demokracia dhe ekonomia mund të rriten së bashku”, tha Kurti.

Kurti ka mohuar pretendimet e serbëve se Policia e Kosovës ka përdorur dhunë gjatë trazirave të fundit në veri. “Nuk ka asnjë provë që Policia e Kosovës është sjellur në mënyrë të gabuar. Ata janë trajnuar për 20 vite nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në anën tjetër kemi bandat, që janë këtu për ta destabilizuar Kosovën”, tha ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!