Vendet e Perëndimit janë bërë bashkë në një deklaratë drejtuar Rusisë, ku i kërkojnë që të japë sqarime mbi helmimin e ish-spiunit rus në Angli. Nga ana e saj, Moska ka deklaruar se do t’i përgjigjet Londrës me dëbim diplomatesh britanike.
Britania, Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Franca, bashkarisht i kanë bërë thirrje Rusisë që të japë sqarime mbi sulmin me agjent kimik ndaj ish-spiunit të saj në Angli, ngjarje të cilën 4 shtetet e kanë cilësuar si kërcënim për sigurinë e Perëndimit.
“I bëjmë thirrje Rusisë që të adresojë të gjitha pyetjet në lidhje me sulmin”, thuhet në deklaratën e presidentit Donald Trump, kancelares Angela Merkel, presidentit Emmanuel Macron dhe kryeministres britanike, Theresa May. Të katër liderët e kanë vlerësuar helmimin e Sergei Skripal një sulm ndaj sovranitetit të Mbretërisë së Bashkuar, që në të njëjtën kohë përbën kërcënim për sigurinë e gjithë Perëndimit.
Por ndërsa deklarata ishte një koordinim i Britanisë me aleatët, ajo kishte mungesë detajesh sa i takon masave që Perëndimi do të marrë ndaj Rusisë nëse ajo nuk jep përgjigje. Lidhur me ngjarjen e ndodhur në Salisburi, Londra zyrtare ka paralajmëruar se do të dëbojë 23 shtetas rusë, që sipas saj ushtronin aktivitete spiunazhi nën petkun e diplomatit.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov është përgjigjur duke i cilësuar thirrjet e Britanisë një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga problemet që vijnë si rrjedhojë e Brexit. Si kundërpërgjigje, Lavrov ka deklaruar se edhe Moska do të dëbojë së shpejti diplomatë britanikë./abcnews.al