Gjermania hodhi sot një hap tjetër drejt legalizimit të kanabisit rekreativ, i cili së bashku me miratimin nga kabineti do të shoqërohet me një fushatë parandaluese që synon të rinjtë.
Në një konferencë shtypi në Berlin, Ministri gjerman i Shëndetësisë Karl Lauterbach e quajti projektligjin “një pikë kthese në një politikë të dështuar fatkeqësisht të kanabisit”.
“Askush nuk duhet të keqkuptojë ligjin. Përdorimi i kanabisit do të legalizohet. Megjithatë, mbetet e rrezikshme” ,tha ministri në një deklaratë të përbashkët të ministrisë së tij dhe Ministrisë së Bujqësisë.
“Mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve është qëllimi kryesor i të gjithë projektligjit,” shtoi ai.
Sipas projektligjit, i cili tani duhet të debatohet dhe votohet nga parlamenti, kushdo mbi moshën 18 vjeç do të mund të blejë dhe zotërojë deri në 25 gramë kanabis.
Kështu Gjermania do të ketë një nga legjislacionet më liberale në Europë, pas Maltës dhe Luksemburgut, të cilët legalizuan kanabisin për qëllime rekreative përkatësisht në 2021 dhe 2023.
Reforma ka tërhequr gjithashtu kritika nga opozita, si dhe nga policia dhe sindikatat gjyqësore, të cilët thonë se nuk do t’i japë fund kontrabandës, që është një nga synimet e saj.
Mbështetësit shpresojnë se do të frenojë tregun e zi. Sipas këtij projektligji, do të mundësohet edhe rritja e deri në tre bimë kanabisi për përdorim personal.
Konsumi i kanabisit nuk do të lejohet brenda këtyre klubeve ose në një distancë prej 200 metrash prej tyre, si dhe përreth shkollave, këndeve të lojërave, terreneve sportive dhe shoqatave të të rinjve.
/abcnews.al