Përdorimi i armëve kimike në Siri, në gjyq 3 kompani belge

schedule19:59 - 18 Prill, 2018

schedule 19:59 - 18 Prill, 2018

Tri kompani belge do të gjykohen në Bruksel për eksportimin e lëndëve kimike të nevojshme për prodhimin e gazit nervor Sarin, i përdorur në Siri kundër popullsisë civile. Sipas autoriteteve gjyqësore të vendit, kompanitë eksportuan 96 tonelata Izopropanol në Siri në periudhën mes viteve 2014-2016. Izopropanoli mund të përdoret edhe për qëllime legjitime, si për shembull për heqjen e bojës, por ai është elementi kyç në prodhimin e gazit nervor, i cili sipas Perëndimit dhe Kombeve të Bashkuara u përdor nga regjimi i presidentit Bashar al Assad kundër qytetarëve ne lokalitetin e Dumës. Çështja ndaj tre kompanive belge u raportua për herë të parë në portalin e lajmeve “Knack”, pas një hetimi të kryer nga gazetarët e tij në bashkëpunim me Arkivin Sirian. Ministrja e Financave, Florence Angelici tha për agjencinë e lajmeve “AFP” se kompanitë akuzohen për falsifikim të deklaratave doganore dhe se procesi pritet të fillojë më 15 maj. Nga ana e tyre, kompanitë kanë deklaruar se nuk ishin në dijeni të sanksioneve të vendosura ndaj regjimit sirian në vitin 2013 dhe se kishin informuar autoritetet doganore për llojin e substancave që po eksportonin. Përdorimi i armëve kimike nga forcat qeveritare siriane u bë shkak që Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca të ndërmerrnin javën e kaluar sulme ajrore ndaj impianteve të lëndëve kimike në Siri. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!