“Përdhunuesi” Roshi në fushatën e Berishës/ E sulmoi për shumë vite, por ish kreu i Bashkisë së Kavajës, i bashkohet kreut të PD

schedule15:43 - 26 Prill, 2025

schedule 15:43 - 26 Prill, 2025

Elvis Roshi, ish kryebashkiaku socialist i Kavajës, është rishfaqur në publik në mitingun e Sali Berishës, dikur kundërshtari i tij politik.

Në përpjekje për të mos u identifikuar, Roshi mbante të veshur një kapuc dhe qëndronte pak rreshta pas Flamur Nokës.

Por më shumë se prania fizike e ish kryebashkiakut, duket se tashmë Roshi është vendosur në vijën e parë të fushatës së PD në Kavajë, pasi kushëriri i tij, Elton Roshi, kandidon nën siglën e Koalicionit Madhështor.

Të shtunën në Kavajë, Berisha nuk tha asnjë fjalë për Elvis Roshin, por nuk janë të largëta vitet kur ai e cilësontë atë, një kriminel, që kishte zaptuar pronat e kavajasve dhe jo vetëm.

Në tetor të 2017, kur Lulzim Basha humbi përballë Edi Ramës, Sali Berisha do të lëshonte një lumë akuzash në parlament për Elvis Roshin, nga vrasës deri tek përdhunues e trafikant

“Elvis Roshi del me 5 emra, me 3 kartela… perdhunues, vrases dhe trafikat… dhe ti (Rama) je perfitues kryesor i krimeve te tij…..”

Por këto nuk do të ishin akuzat e vetme. Edhe në vitet që do të pasonin, kur Berisha, drejtonte PD nëpërmjet djalit të tij politik, Lulzim Basha do të vijontë një fushatë të gjatë denoncimesh në rrjetet sociale ndaj Roshit për privatimin e tokave.

Por mesa duket kohët ndryshojnë shpejt. Sali Berisha jo vetëm i ka harruar akuzat e tij të dikurshme, por Elvin Roshin, e ka marrë pranë vetës, mbase se kanë edhe një element të përbashkët… problemet me drejtësine…/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!