Përcillet për në banesën e fundit regjisorja e njohur shqiptare, policia: U gjet pa jetë në zyrën e saj

schedule09:24 - 28 Tetor, 2021

schedule 09:24 - 28 Tetor, 2021

Burbuqe Berisha, regjisorja e njohur në Kosovë e cila ndërroi jetë ditën e djeshme në zyrën e saj në Ministrinë e Kulturës do të përcillet ditën e sotme për në banesën e fundit. Lajmin e ka bërë me dije motra e saj Trëndelina Berisha përmes një postimi në rrjetet sociale.  Ajo shkruan se homazhet do të mbahen në mesditë në Teatrin Kombëtar.

“Ju njoftojmë se ceremonia mortore mbahet me datën 28 tetor, duke filluar me mbledhjen komemorative të organizuar nga Kolegji AAB, në teatrin “Faruk Begolli”, me fillim në orën 10:00. Pastaj nga ora 12-14, nën organizimin e MKRS, mbahen homazhe në Teatrin Kombëtar, ndërsa ceremonia e varrimit bëhet në orën 15, në varrezat e qytetit, në Prishtinë. Ditën e premte, me 29 tetor, në orën 11:00, në Teatrin Kombëtar, nën organizimin e Ministrisë së Kulturës, mbahet mbledhja komemorative, për nderimin e jetës dhe veprës së Buqes tonë. Me këtë rast falënderojmë përzemërsisht Kolegjin AAB, MKRS-në dhe gjithë shoqërinë, familjarët dhe dashamirët, që gjatë gjithë kohës ishin dhe vazhdojnë të jenë me ne duke bashkë ndarë dhembjen!

 Motra ime, shpirti im i bardhë, ti që ishe motër, nënë e babë për ne, mua, Vjollcën dhe Dardanin. U rritëm me shumë sakrifica, pa prindërit tanë, por gjithmonë qëndruam të lidhur e të bashkuar. Krahu ynë sot u këput, ike papritmas dhe na le në pikëllim të thellë e me zemër të thyer. Nuk ka fjalë që ta përshkruajë dhimbjen që ndiejmë për humbjen tënde. Kontributi yt ishte shumë i madh jo vetëm për familjen por edhe për gjithë vendin tonë! Pusho e qetë shpirti jonë i bardhë!”, ka shkruar ajo.

Në raportin 24-orësh policia e Kosovës ka dhënë detaje për ndarjen nga jeta të Berishës. “Prishtinë 27.10.2021-13:20. Viktima femër kosovare është gjetur pa shenja jete në zyrën e saj në Ministrinë e Kulturës. Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, ka njoftuar policia. m.v/Abcnews.al