Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbajtur një fjalë para mediave pas përfundimit të marrjes në pyetje nga prokuroria në lidhje me protestën e 8 janarit.
Ndërsa theksoi se kjo e sotmja dhe 8 janari do të hyjnë në histori si ditë të dhimbshme për demokratët, kryedemokrati shtoi se orët që po shpenzohen duke u përgjigjur pyetjeve në prokurori duhej të ishin në dispozicion të së mirës publike.
“PD mbetet një forcë politike jo thjesht e pjekur dhe e mençur por edhe e gatshme t’i japë fund tranzicionit. 8 janari pjesë e përpjekjeve të një grushti njerëzisht për ta mbajtur vendin si në këto 30 vite, pronë dhe plaçkë e tyre.”
I pyetur sesi do ta kërkojë votën e demokratëve në një kohë kur janë më të përçarë se kurrë, Basha tha se për të, të qëndrosh në krye të PD sot, do të thotë të mbajë fjalën që u ka dhënë demokratëve.
“Fjalët të kthehen në vepra, duhet t’i japim fund valles së tranzicionit. Të qëndrosh në krye të PD sot do të thotë t’u qëndrosh fjalës që i kam dhënë demokratëve. Kjo është një betejë që s’më takon mua as demokratëve, por jemi në ballë të saj. Ftoj edhe socialistët të bashkohen…”
Ndërsa kërkoi që të bëhet hetimi i plotë i ngjarjes dhe që të gjithë të marrin përgjegjësitë para drejtësisë në bazë të rolit që kanë pasur, kreu i të djathtëve shtoi se personat që dolën në ballkonin e Selisë Blu nuk janë identifikuar.
Basha u pyet nga gazetarët edhe për projektin e tre kullave që thuhet se mund të ndërtohet në tokën ku ndodhet sot Selia Blu, por ai i cilësoi këto si gënjeshtra. Lulzim Basha qëndroi më shumë se dy orë në prokurori duke dhënë dëshminë për protestën e 8 janarit ndërsa përpara tij e dha dëshminë edhe Gazment Bardhi.
Një ditë më parë, në prokurori u paraqit edhe ish-kryeministri Sali Berisha. /abcnews.al/