Përcaktohen finalistët e Kupës së Shqipërisë

schedule20:03 - 8 Maj, 2019

schedule 20:03 - 8 Maj, 2019

Skuadra e Kukësit fitoi edhe takimin e dytë ndaj Skënderbeut në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë. Verilindorët fituan me rezultatin 3-1. Shkëlqen edhe Tirana ndaj Luftëtarit pasi triumfuan me shifrat 5-3 duke siguruar finalen.

Kukësi shkatërron Skënderbeun në ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Verilindorët fituan në transfertën e Korçës me shifrat 3-1 dhe kalon në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku do të përballet me Tiranën. Kukësi kalon i pari në avantazh në minutën e 18 me Rexhinaldon. Sulmuesi asistohet në mënyrën perfekte nga Rrumbullaku dhe tregohet i sakte përballë portierit Dajsinani. Në fundin e pjesës së parë janë sërish miqtë që realizojnë. Rrumbullaku nga e majta kroson ne zonë për Rexhinaldon, i cili nuk e mbërrin në kohë topin që devijohet gabimisht nga Leonit Abazi dhe përfundon në rrjetë.

Pjesa e dytë nis mirë për Skënderbeun që ngushton diferencat me Dejvi Bregun. Në minutën e 47, Gripshi ndërmerr një aksion individual nga e djathta, futet në zonë dhe pason për Bregun që shënon lehtësisht. Gjithsesi vetëm pak minuta më pas, Kukësi shënon sërish, kësaj radhe me Valdet Ramën, i cili konkretizon pas një kundërsulmi. Minutat e mbetura nuk kanë ndryshim rezultati dhe Kukësi fiton edhe takimin e dytë ndaj Skënderbeut që e mbyll vitin pa asnjë trofe për herë të parë  pas shumë vitesh. Në takimin tjetër, Tirana mundi me shifrat e thella 5-3 skuadrën e Luftëtarit. Bardheblutë zhvilluan një ndeshje mjaft të mire dhe japin sinjale pozitive në prag të derbit me Partizanin./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!