Përballja Harris-Trump/Kamberi: Rezultati më i saktë se kush do jetë fituesi vendoset pas këtij debati

schedule23:50 - 10 Shtator, 2024

schedule 23:50 - 10 Shtator, 2024

Ish-presidenti i SHBA, Donald Trump dhe Nënpresidentja Kamala Harris do të përballen për herë të parë në debatin e shumëpritur mbrëmjen e së martës. Të dy kandidatët do të përballet për 90 minuta, ku do të shpalosin vizionin dhe planet e tyre për të drejtuar SHBA.

Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News, Geron Kamberi, u shpreh se debati pritet të fokusohet në dy çështje makro, të cilat sipas tij janë çështjet e jashtme dhe ato të brendshme.

“Debati besoj se do përqendrohet në dy shtylla kryesore, politikat e jashtme, siç është traditë edhe për shkak të peshës që ka ShBA në politikën botërore. Në pjesën e politikës së brendshme, çështjet do të jenë jo të pakta, ku përfshihen migracioni, inflacioni, ekonomia, situata pos-covid”, tha ai.

Ai theksoi se kandidatja e demokratëve, Kamala Harris, pritet të paraqitet në nivel të mirë pasi puna e saj si prokurore do ta ndihmojë në shpalosjen e argumenteve, për çështjet që do jenë në tryezën e diskutimeve.

“Harris si ish-prokurore do të ketë aftësinë për t’u përballur me argumente”, tha ai.

Por cila mund të jetë pika e fortë e Donald Trump në përballjen me rivalen e saj?

Për këtë eksperti u shpreh se Trump mund të nxjerrë në pah mungesën e eksperiencës së Harris për të drejtuar vendin. Ai theksoi se nga ky debat mund të dalë qartë dhe fituesi i mundshëm i zgjedhjeve të nëntorit.

“Trump do të ngulmojë tek mungesa e eksperiencës së Harris. Ajo ka mbajtur një profil më të ulët në publik . Sondazhet janë të ndryshme dhe ato lëvizin. Diferenca është ngushtuar shumë, nëse krahasojmë rezultatin mes Donald Trump dhe Joe Biden. Rezultat më i afërt dhe më si saktë, do jetë rezultati që do dalë pas debatit të sotëm.”, theksoi ai.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!