Kukësi do të udhëtojë në Laç këtë të diel ku do të përballet me kurbinasit, ndeshje e vlefshme për javën e 21-të Abissnet Superiore.
Një ndeshje që do të jetë e luftuar mes dy skuadrave që vitet e fundit kanë rivalizuar fort me njëra-tjetrën, ndërsa këtë sezon vetëm 3 pikë i ndajnë, me bardhezinjtë që ndodhen në vendin e dytë, ndërsa verilindorët në vendin e tretë.
Përpara ndeshjes, trajneri i Kukësit, Diego Longo ka nxjerrë një foto të një objekti (shishe plastike), që sipas tij është hedhur ndaj stolit verilindor në ndeshjen e parë në Laç. Italiani ka ironizuar edhe me presionin ndaj arbitrave dhe ato çka mund të ndodhin në tribunat VIP në Shqipëri.
“Nesër kemi një ndeshje të rëndësishme. Shpresoj se të gjithë do japin 100% dhe ekipi më i mirë merr në shtëpi tre pikët. Në fushë.
As me presionin e jashtëm ndaj arbitrave apo lojtarëve, as me akuzat e zakonshme nga stenda VIP. Në foto është një nga shishet që na hodhën ndeshjen e kaluar, ajo që më goditi. Nuk e kam harruar. Le të fitojë ai që e meriton duke luajtur futboll në katrorin e gjelbërt”, shkruan Longo.
/f.a/abcnews.al