Blerim Latifi, profesor i filozofisë në Universitetin e Prishtinës, duke komentuar fotografitë të NASA-së, ka thënë se “njerëzit, të cilët gjatë jetës kurrë nuk kanë dalë nga katundi i tyre, me kohë e zhvillojnë iluzionin se pikërisht katundi i tyre është qendra e botës, se nuk ka asgjë të rëndësishme matanë kodrave, e se gjithçka rrotullohet dhe merr kuptim nga ngjarjet që ndodhin brenda katundit të tyre”.
Përmes një postimi në Facebook, Latifi ka theksuar se “me shekuj njerëzimi e ka pasur një iluzion të tillë për shtëpinë e tij, planetin tokë, sepse njeriu nuk ishte në gjendje të shkëputej nga toka, të dilte jashtë perspektivës së ngushtë të saj”.
“Prej Kopernikut e tutje filozofia dhe shkenca moderne e kanë rrëzuar këtë iluzion. Toka jo që nuk është qendra e universit, por nuk është kurfarë qendre. Universi është i pafundëm dhe planeti ynë në të është thjesht një grimcë e parëndësishme dhe, me gjasë, vetë jeta në të një aksident biokimik”, ka shkruar Latifi.
“Tash NASA me teknologjinë e saj të avancuar po na e mundëson ta shohim dhe ndjejmë pafundësinë e Universit. Kjo nuk shkakton vetëm mahnitje, por edhe frikë e pasiguri tek njerëzit”, ka vazhduar ai. “Ata që ndihen të frikësuar e të pasigurtë nga kjo pafundësi gjithmonë priren për t’u kthyer pas në sigurinë dhe besimin e vjetër të katundit të tyre. Prandaj, megjithë përparimet e njohurive shkencore, besimet e vjetëra do të vazhdojnë të jetojnë mes njerëzve”.
Latifi ka cituar edhe Hobsin i cili ka thënë se “nevoja themelore e qenies njerëzore është nevoja për siguri”, sipas Latifi “kjo nevojë pastaj mbulohet me iluzion”. /Express