Për një rihapje të sigurt, Wuhan-i bën rreth 1.5 milion teste për Covid-19 në ditë

schedule16:52 - 23 Maj, 2020

schedule 16:52 - 23 Maj, 2020

Wuhan, qyteti kinez ku mendohet të ketë nisur si fillim përhapja e koronavirusit në fund të vitit që shkoi, ka kryer rreth 1.5 milion teste për Covid-19 në vetëm një ditë.

Sipas njoftimit të dhënë nga autoritetet e shëndetit në vend, të premten u testuan për koronavirusin 1,470,950 persona.

Më herët gjatë këtij muaji, autoritetet në këtë qytet i vunë vetes qëllimin ambicioz që të testonin për virusin të 11 milion banorët në më pak se dy javë. Ata besojnë se kjo është mënyra më e mirë për të pasur një rihapje të sigurt të bizneseve dhe shkollave, shkruan abcnews.al

Kjo fushatë ka nisur me qëllimin për të zbuluar në kohë bartës asimtomatikë, persona që janë të infektuar por që nuk tregojnë shenja që janë të sëmurë.

Numri i testeve që bëhen brenda një dite ka vijuar rritjen në mënyrë graduale. Më 18 maj në qytet u bënë 467,847 teste të acidit nukleik dhe deri të enjten ajo shifër ditore ishte rritur në më shumë se një milion.

Kujtojmë këtu se Kina nuk ka raportuar asnjë rast të ri me koronavirus për herë të parë që nga fillimi i epidemisë në vend. Deri më tani, vendi aziatik numëron  82,971 të infektuar dhe 4,634 viktima. /abcnews.al/