Për herë të parë krijohet një fileto peshku me printer 3D

schedule13:17 - 31 Maj, 2023

schedule 13:17 - 31 Maj, 2023

Kur bëhet fjalë për gatimin nuk ka kufij. Një printer 3D i ngjashëm me “Star Trek”, sapo ka shërbyer për herë të parë një fileto peshku të kultivuar.

Steakholder Foods, një kompani me bazë në Izrael, prodhoi mish nga një printer 3D. Arik Kaufman, CEO i Steakholder Foods, e cilëson këtë si një moment historik në industrinë ushqimore.

Kompania bashkëveproi me Umami Meats me bazë në Singapor për të krijuar fileton. “Në këtë degustim të parë, ne shfaqëm një produkt të kultivuar që copëtohet, ka shije dhe shkrihet në gojë tamam si peshku”, thotë Mihir Pershad, bashkëthemelues dhe CEO i Umami Meats.

Ushqimet e detit dhe mishi i kultivuar janë proteina që mund të rritet në një laborator duke përdorur qeliza staminale, në vend të peshkut nga deti ose bagëtive të rritura në një fermë.

Industria e sapolindur synon që të krijojë shijen e mishit të vërtetë, por pa kostot tradicionale si për kafshët ashtu edhe për mjedisin.

“Ne jemi ende duke ngrënë dhe konsumuar mish në mënyrën që kemi konsumuar mijëra vjet më parë, kështu që ne kemi vendosur të marrim një qasje të re për të provuar dhe rishpikur mënyrën se si prodhohet mishi,” tha Kaufman për CNN.

Si krijohet filetoja peshkut

Para se të zhvillonte një fileto peshku, kompania ishte fokusuar kryesisht tek emri i saj: bifteku.

Procesi i kultivimit të mishit fillon me qelizat burimore të marra nga një kafshë dhe të rritura në bioreaktorë, sipas Orit Goldman, nënkryetare e biologjisë në Steakholder Foods. Qelizat diferencohen në qeliza muskulore ose dhjamore që përfundimisht formohen në indet që do të bëhen produkti përfundimtar i mishit.

Ato qeliza të diferencuara të muskujve dhe yndyrës shndërrohen më pas në bio-bojëra (një formulim i qelizave dhe materialeve lidhëse) dhe vendosen në printerin 3D. Procesi i printimit lejon që biftekët të jenë të personalizueshëm duke u dhënë konsumatorëve mundësinë të zgjedhin përbërjen e yndyrës së prerjes së tyre.

“Salca jonë sekrete është në aftësitë tona të printimit,” tha Kaufman dhe shton se biftekët e printuar tani nuk kanë të njëjtën shije dhe teksturë si gjëja e vërtetë, por ai është i bindur se deri në dekadën e ardhshme do t’ia kenë arritur qëllimit.

Izraeli, ku ka bazën Steakholder Foods, njihet si një vend lider në industrinë alternative të mishit, madje është shtëpia e kompanisë së parë që rrit mishin në hapësirë. Në tetor 2021, qeveria izraelite formoi një konsorcium të mishit të kultivuar të mbështetur nga 18 milionë dollarë fonde.

OKB -ja vlerëson se gati 90% e popullsisë globale detare janë duke u varfëruar. Sa i përket mishit, rritja e bagëtive gjeneron gati 15% të emetimeve totale të gazeve serrë. Sipas një raporti të vitit 2022 nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, mishi i rritur në laborator mund të ndihmojë në uljen e këtyre emetimeve duke reduktuar përdorimin e tokës, ujit dhe lëndëve ushqyese.

Progresi rregullator dhe pengesat

Industria e mishit të kultivuar dhe ushqimeve të detit është një e re relativisht e re në skenën më të madhe të proteinave alternative, e cila përfshin opsione më të njohura me bazë bimore si Beyond Meat dhe Impossible Foods.

Në vitin 2006 NASA nisi një kërkim rreth kësaj industrie dhe gjatë dekadës së fundit mbi 150 kompani në 6 kontinente kanë marrë iniciativën për të zhvilluar të gjitha llojet e ushqimeve të kultivuara.

Industria ka të ngjarë të përballet me disa hezitime nga publiku, sipas David Block, profesor kryesor në Konsorciumin e Mishit të Kultivuar të UC Davis në Kaliforni.

Për të shmangur këtë, produktet duhet të shijojnë më mirë, të jenë më ushqyese dhe të kenë jetëgjatësi.

A do të ketë çdo specie përfundimisht një homolog të kultivuar? Shkencëtarët nuk mendojnë kështu, por ata sigurojnë se mishi i prodhuar në ferma dhe ushqimet e detit do të jenë të disponueshme kudo në planet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!