Qeveria shqiptare ka vendosur që të japë me koncension edhe Parkun Kombëtar të Butrintit, gjë që ka hasur në kundërshtinë e fortë të shoqërisë shqiptare.
Pikërisht për t’i dalë kundër këtij vendimi stafi i emisionit investigativ “Piranjat” ka vendosur të bëjë një peticion online, ku fton qytetarët që t’i bashkohen kësaj nisme të qeverisë.
Ajo që bie në sy është që për dy orë mbi 5 mijë qytetarë kanë firmosur elektronikisht kundër dhënies me koncension të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Çfarë po ndodh me Butrintin?
Edhe pse Parku Kombëtar i Butrintit është trashëgimi kulturore dhe arkeologjike e mbrojtur nga UNESCO, shteti shqiptar me vendim qeverie dhe i miratuar në parlament, i hapi rrugën që ky park të administrohet nga privati.
Duhet theksuar se referuar ligjeve ndërkombëtare, asnjë park arkeologjik apo kulturor i mbrojtur nga UNESCO nuk lejohet të administrohet nga askush tjetër përveçse nga shteti përkatës.
Por ajo që e nxiti edhe më shumë reagimin e fortë të qytetarëve është edhe një tjetër pikë, pasi për të menaxhuar këtë vlerë historike të Shqipërisë i është lënë në dorë Richard Hodges, një personazh me tendenca të theksuara antishqiptare, i cili e ka quajtur në leksionet dhe librat e tij Shqipërinë si “shtet artificial” dhe kur shpallëm Pavarësinë në 1912-ën, sipas tij nuk kishte asnjë shqiptar në të, ashtu si shumë e shumë të pavërteta të tjera.
“Piranjat” ftojnë çdo shqiptar brenda dhe jashtë vendit t’i bashkohen këtij peticioni dhe të mbrojnë trashëgiminë, historinë dhe kulturat tona, për të mos e lënë në dorë të një njeriu që nuk do aspak vendin tonë një vlerë kaq të madhe historike, natyrore siç është Parku Kombëtar i Butrintit. “I thoni “JO” koncensionit për Butrintin, firmosni tani sa nuk është vonë”.
/Abcnews.al/